Ka përfunduar rikonstruksioni i unazës hekurudhore të Shkupit, në segmentin nga Draçeva deri në Ilinden, duke mundësuar devijimin e trenave të mallrave jashtë qytetit. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, tha se kjo do të ulë ndotjen e ajrit në Shkup dhe do të përmirësojë organizimin e transportit hekurudhor të mallrave. Ai njoftoi se pas përfundimit të periudhës së testimit, segmenti pritet të vihet në funksion brenda rreth 20 ditësh. Nikolloski paralajmëroi gjithashtu se jo më vonë se 1 shtatori pritet të nisë funksionimin edhe i linjës së parë të trenit urban, nga Zelenikova përmes Draçevës deri në qendër të Shkupit.

“Për momentin është në zhvillim periudha e testimit, për të cilën është e nevojshme të kryhet pranimi teknik, dhe pres që për rreth njëzet ditë trenat e mallrave ta përdorin këtë segment hekurudhor. Kjo do të thotë shumë për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe për uljen e ndotjes në Shkup, nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër do të nënkuptojë transport më të shpejtë të mallrave në Korridorin 10, gjë që do të sjellë më shumë biznes dhe më shumë kompozicione hekurudhore në hekurudhat e Maqedonisë, çka do të kontribuojë shumë në zhvillimin e biznesit dhe të gjithë sektorit të transportit”, pohoi Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.