Ka përmirësime të lehta në cilësinë e debatit parlamentar për vitin 2025, por megjithatë nuk ka rezultate të larta, respektivisht nga mundësia 1 deri në 10 ai ka marrë vlerësimin mesatar 5,7. Opozita shënon aktivitet më të madh se deputetët e pushtetit, ndërsa është vërejtur edhe rritje e aktivitetit të deputetëve të opozitës nga partitë politike shqiptare. Përmirësim ka edhe në paraqitjet e deputetëve, respektivisht janë zvogëluar fyerjet personale dhe ofendime mes kundërshtarëve politikë, por është vërejtur se fjalimet e tyre janë dobët të argumentuara.
“Niveli i ulët i argumentimit në replikat dhe kundër-replikat e ul vlerësimin e përgjithshëm në përgjithësi. Është klasike dhe e kuptueshme që opozita gjithmonë ka më shumë paraqitje dhe ne e matim këtë: 63% e paraqitjeve janë nga deputetët e opozitës, 37% janë nga deputetët e pushtetit”, tha Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.
Deputetët kanë dështuar edhe në debatin për grupet e ndjeshme dhe të margjinalizuara të qytetarëve. Për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre diskutohet pak, dhe kjo vetëm kur ka kritika të ndërsjella se kush është fajtor për emigrimin e tyre. Sa i përket institutit të zyrave për kontakt me qytetarët, është vërejtur funksionim i dobët, ndërsa disa deputetë fare nuk kanë pasur kontakte, dhe qytetarët më shpesh kanë kërkuar ndihmë për punësim.
“Temat më të shpeshta kur bëhet fjalë për punë dhe marrëdhënie pune, mund ta supozoni, janë tema për punësim, por mund të shihni se ka iniciativa për transport, infrastrukturë, për shërbime sociale. Qytetarët janë kaq të ndarë në lidhje me përkatësinë politike saqë thjesht nuk guxojnë të hyjnë në zyrën e një deputeti tjetër sepse do të perceptohen si pjesëtarë të një partie të caktuar politike”, u shpreh Neda Maleska Saçmaroska nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime.
Nga NDI njoftuan se nga 27 prilli deri më 5 maj do të nisë karvani vjetor për kontakte të drejtpërdrejta të qytetarëve me deputetët, në të cilin do të vizitohen 8 qytete. Në këtë karvan do të promovohen mjetet për afrimin e punës së Kuvendit dhe deputetëve me qytetarët.
