Gazetare: Ilirida Sulejmani

Përplasje verbale në Kuvendin e Kosovës mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetët e PDK-së e kanë penguar mbajtjen e një konference për media të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në hollin e Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e shtyu me duar deputetin e LVV-së, Adnan Rustemi, teksa deputeti tjetër I LVV-së, Ardian Gola u hyri në mes.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, është përballur verbalisht me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ndërsa Haxhiu dëgjohet duke iu kundërpërgjigjur Jasharit me fjalët “ke kujdes” e “nuk ke nevojë të bëhesh nervoz”.

Deputetët Aleancës kërkuan nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e saj.  Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, i cili ishte i pranishëm në Kuvend pasi sot ishte dita e fundit e vizitave të mërgimtarëve. Ai ka folur për situatën rreth seancës konstituive, duke thënë se ajo do të thirret vetëm pasi të arrihet një marrëveshje politike mes partive.

“Lëvizja Vetëvendosje tashmë e kemi bërë të qartë që seanca do të thirret vetëm kur të ketë marrëveshje politike, sepse thirrja e seancës pa marrëveshje politike nënkupton që Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat janë të panevojshme dhe të padëshirueshme për popullin e Kosovës.” – Vigan Qorrolli (deputet i LVV-së).

Më pas, Albulena Haxhiu u kthye në sallën e Kuvendit duke thënë se ajo shkoi aty për shkak të vizitës së mërgatës dhe i kritikoi partitë tjera duke thënë se veprimet e tyre janë të pajustifikueshme.

“Siç po e shihni opozita i proteston edhe mërgatës, edhe të rinjve e të rejave tona, por kur s’ka kauzë vazhdojnë me veprime të tilla të pajustifikueshme. Ja që opozita po tenton të bëjë veprime të tilla vetëm që të pengojë aktivitete të Kuvendit’’. – Albulena Haxhiu (ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës).

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se kjo parti do t’i vazhdojë përpjekjet për ta kthyer rendin kushtetues në Kosovë.

“PDK-ja do të jetë përditë në kuvend, do të jemi edhe sot brenda kuvendit për të bërë thirrje dhe po i bëjmë thirrje kryesuesit të seancës plenare që ta thërras seancën plenare siç e obligon rregullorja e punës së kuvendit. Kushtetuta e Kosovës është bërë me mund, gjak e sakrificë”. – Blerta Deliu-Kodra (deputete e PDK-së).

Pavarësisht përpjekjeve për vazhdimin e seancës konstituive, partitë ende nuk kanë arritur konsensus për kapërcimin e ngërçit institucional, duke lënë pezull funksionalizimin e plotë të institucioneve. /Alsat.mk

The post Përplasje në Kuvendin e Kosovës, deputeti i PDK-së shtyn deputetin e LVV-së appeared first on Alsat.