Pas një beteje të fortë me 5 raunde, luftëtari rus Petr Yan mbrojti titullin kampion bote të peshës “bantamweight” (pesha deri 61kg) në artet marciale mikse (MMA). Në eventin UFC-333 zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Abu Dhabi, ai mundi me vendim unanim të gjyqtarëve rivalin gjeorgjian Merab Dvalishvili.
Të tri gjyqtarët i dhanë fitoren Yan (48-47, 48-47, 48-47). Kjo ishte sfida e dytë brenda pak muajsh mes dy luftëtarëve, me Yan që triumfoi ashtu si në dhjetorin e kaluar, kur dhe mori titullin kampion, që e mbrojti për herë të parë (Dvalishvili ka fituar përballjen e parë në vitin 2023).
Një fitore e ngushtë për rusin, cka tregon se sfida ishte e hapur dhe e barabartë, me Dvalishvili që në raundet e mesit synoi surprizën, por pa sukses. Duket se Yan (21 fitore e 5 humbje) kishte ruajtur fuqitë për dy raundet e fundit, kur dhe fitoi.
Për Dvalishvili kjo është humbja e gjashtë në karrierë (ka edhe 21 fitore), duke synuar deri në fund fitoren, por nuk ia doli dot mbanë. Gjeorgjiani u përpoq të rimerrte titullin e humbur vjet, por nuk ishte konstant gjatë gjithë kohës.
Në kafaz, të dy luftëtarët dhuruan spektakël, me grushte, bërryla e shkelma gjatë gjithë kohës. Një ndeshje ku kapjet në trup ishin të pakta, ndaj dhe goditjet e bënë edhe më spektakolare duelin, i hapur deri në fund.

The post Petr Yan mbron titullin e peshës “bantamweight”, fiton triologjinë ndaj gjeorgjianit Dvalishvili appeared first on Telesport.
