Pika kufitare Markova Noga – Lemos, e cila pritet të lidhë Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë përmes rajonit të Prespës, me shumë gjasa do të hapet në vitin 2028. Këtë vlerësim e dha ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, i cili njoftoi se punimet në anën greke do të përfundojnë brenda dy vitesh.
Greqia në prill të këtij viti nënshkroi kontratën me kompaninë zbatuese për ndërtimin e infrastrukturës kufitare në Lemos. Projekti parashikon pika kontrolli, ndërtesë për kontroll policor dhe doganor, objekte përcjellëse si dhe hapësira parkimi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se nga ana e Maqedonisë së Veriut punimet janë në fazë të avancuar dhe rreth 60 për qind e projektit tashmë është realizuar. Ai theksoi se kjo pikë kufitare është një projekt strategjik jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë Ballkanin.
“Pika kufitare ‘Markova Noga’ është një projekt strategjik për këtë rajon, por do të shtoja se është projekt strategjik edhe për Ballkanin, sepse të gjithë konstatuam se Prespa është një nga mikro-lokacionet më të bukura në Ballkan dhe në Evropë. Prespa meriton që të gjithë të investojmë maksimalisht brenda kapaciteteve që kemi, sepse ky është një projekt strategjik që do të sjellë vlerë të shtuar në shumë aspekte për Prespën dhe për dy shtetet tona mike”, tha Toshkovski.
Kjo pikë kufitare ka qenë e mbyllur për gati 60 vjet. Rihapja e saj konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e rajonit të Prespës.
