Projekti i diskutueshëm i Gianni Infantinos për ta hapur FIFA-n ndaj kapitalit privat vazhdon të ndajë botën e futbollit. Pas qëndrimeve të ashpra të UEFA-s, CONCACAF dhe AFC, zbulime të reja rrezikojnë të shtojnë edhe më shumë tensionet rreth propozimit në fjalë.
Sipas asaj që raporton “The Guardian”, banka e investimeve “JP Morgan”, me kërkesë të FIFA-s ka përgatitur një prezantim prej 25 faqesh, të dërguar te 211 federatat anëtare, për të shpjeguar vlerësimin ekonomik të kompanisë së re tregtare, e quajtur “FIFA Forward Enterprise” (FFE).
Plani parashikon krijimin e një shoqërie të kontrolluar nga FIFA, e cila do të menaxhojë kompeticionet më të rëndësishme të organizatës. Më pas, 20% e aksioneve të saj do t’u shiten investitorëve privatë për rreth 4.2 miliardë dollarë (3.7 miliardë euro).
Edhe pse FIFA regjistron tashmë të ardhura vjetore prej rreth 3.6 miliardë dollarësh, “JP Morgan” vlerëson se organizata mbetet ende “e nënvlerësuar” nga pikëpamja tregtare, sidomos në krahasim me gjigantët amerikanë të sportit si NFL dhe NBA, të cilët gjenerojnë përkatësisht mbi 21 miliardë dhe 12 miliardë dollarë të ardhura në vit.
Për të rritur fitimet, banka sugjeron një strategji shumë agresive: zgjerimin e numrit të kompeticioneve, shfrytëzimin më të madh të të drejtave televizive përmes marrëveshjeve të diferencuara sipas platformave, hapjen ndaj investitorëve të jashtëm dhe përdorimin e instrumenteve të financimit.
Pika që ka ngritur më shumë pikëpyetje lidhet me numrin e turneve. Sipas analizës së “JP Morgan”, FIFA duhet të kalojë nga rreth 200 në 450 kompeticione në vit, duke përfshirë si turnetë e kombëtareve të rritura, ashtu edhe ato të moshave.
Ky skenar rikthen në qendër të debatit idenë e zhvillimit të Kupës së Botës çdo dy vite, një propozim që ishte hedhur edhe më parë, por u la mënjanë pas kundërshtimeve të forta nga konfederatat, ligat dhe futbollistët.
Zbulimet e “The Guardian” ngrenë gjithashtu dyshime mbi mënyrën se si po ecën procesi vendimmarrës. Edhe pse konsultimet me federatat kombëtare janë ende në vazhdim, dokumenti tregon se që në muajin gusht, investitorët e përzgjedhur do të kenë akses në dokumente konfidenciale dhe informacione të detajuara mbi projektin.
The post Plani i Infantinos ndërlikohet, “JP Morgan” zbulon: Garat e FIFA-s do të rriten nga 200 në 450 në vit appeared first on Telesport.
