Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko ka reaguar ashpër lidhur me protestat e studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar situatën si një alarm serioz për të drejtat e shqiptarëve dhe për të ardhmen evropiane të vendit informon Tetovasot.

Në një postim të fortë publik, Majko ka deklaruar se në Maqedoninë e Veriut ka nisur një lëvizje studentore e “djemve dhe vajzave të shqiptarisë”, të cilët kërkojnë të drejtën themelore për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet universitare.

“Të studiosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht, fyen inteligjencën më naive”, shkruan Majko, duke kritikuar ashpër situatën me të cilën përballen studentët shqiptarë në fakultetet juridike.

Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe do të pyetet Komisioni i Venecias transmeton Tetovasot.

“Shteti që ndryshoi emrin dhe flamurin, tani ka vendosur të ‘pyesë’ se çfarë të bëjë me fëmijët e shqiptarëve”, thekson Majko në reagimin e tij.

Sipas tij, askush nuk mund ta kthejë të ardhmen europiane të shqiptarëve në “të kaluarën e errët të Jugosllavisë së dikurshme”, ndërsa protestën studentore e ka cilësuar si refuzim të një sistemi që “e ka humbur kontrollin mbi vetveten dhe zbatimin e ligjit”.

Në fund të reagimit të tij, Pandeli Majko ka dhënë një mesazh të fortë për protestat:

“Protestoni sot! Ajo refuzon luftën nesër!”TS