Paul Pogba është ende në kërkim të sfidës së tij të radhës. Pas ndërprerjes së kontratës me Monako gjatë verës, mesfushori francez është aktualisht lojtar i lirë dhe po shqyrton opsionet për të ringjallur një karrierë që ka ngecur vitet e fundit për shkak të dëmtimeve dhe problemeve jashtë fushës së lojës.

Në moshën 33-vjeçare, fituesi i Kupës së Botës 2018 ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Përvoja e tij në Principatë rezultoi e vështirë. Pasi iu reduktua dënimi për doping, Pogba regjistroi vetëm gjashtë paraqitje për klubin para se t’i jepte fund para kohe një marrëveshjeje që parashikohej të zgjaste dy sezone.

Një rikthim në nivelet më të larta të futbollit evropian duket aktualisht i pamundur. Sipas ‘Daily Mail, kampionati i Major League Soccer (MLS) është destinacioni më realist për francezin. Përfaqësuesit e tij filluan të eksploronin mundësitë me klube të ndryshme amerikane që në muajin gusht.

Emri i Pogba është lidhur me disa klube amerikane. Është folur për interes të mundshëm nga D.C. United, Inter Miami i David Beckham (ku luan Lionel Messi) dhe New York City FC. Megjithatë, aktualisht nuk ka negociata të avancuara apo kontakte zyrtare.

Një kalim në Amerikë mund t’i ofrojë Pogba mundësinë për të rifituar qëndrueshmërinë, minutat e lojës dhe qetësinë mendore në një kampionat që ushtron më pak presion mbi lojtarët krahasuar me futbollin evropian. Ndërkohë, një kalim në Arabinë Saudite mbetet më pak i mundshëm, të paktën për momentin.

The post Pogba ende lojtar i lirë dhe kërkon një mundësi të re: Transferimi në MLS shfaqet në horizont appeared first on Telesport.