Polonia po përgatit një projektligj të ri që synon rritjen e gatishmërisë së shtetit në rast të një kërcënimi ushtarak. Nisma është konfirmuar nga Ministria polake e Mbrojtjes dhe është cilësuar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, si një “ligj para-lufte”.
Projektligji synon të mundësojë lëvizjen më të hershme të trupave polake dhe aleate, përmirësimin e menaxhimit të mbrojtjes dhe koordinimin e planeve polake me sistemin e reagimit të NATO-s. Në të parashikohen gjithashtu përgatitje të infrastrukturës dhe ndryshime në rregullat për stërvitjet dhe ushtrimet ushtarake.
Sipas ministrisë, nisma merr parasysh mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimet moderne, përfshirë sulmet hibride, kibernetike, dezinformimin dhe kërcënimet ndaj hapësirës ajrore.
Ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, tha se qeveria nuk synon të frikësojë qytetarët, por duhet të jetë e përgatitur edhe për skenarët më të këqij. Ai përmendi shkeljet e hapësirës ajrore, dronët pranë kufirit, sabotazhet, ndërhyrjet në sinjalet GPS dhe kërcënimet ndaj infrastrukturës në Detin Baltik.
Projektligji ende nuk është miratuar dhe nuk është dorëzuar në parlament. Aktualisht po kalon konsultimet e brendshme në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa drafti pritet të bëhet publik pas përfundimit të këtij procesi.
Ndërkohë, që nga 1 tetori kanë hyrë në fuqi edhe procedura të reja për reagimin ndaj avionëve, raketave dhe objekteve të dyshimta që mund të shkelin hapësirën ajrore polake, me synim përshpejtimin e vendimmarrjes në raste kërcënimi.
The post Polonia përgatit ligj të ri për gatishmërinë mbrojtëse, ministri e quan “ligj para-lufte” appeared first on Alsat.
