Günther Fehlinger-Jahn, ekonomist dhe aktivist austriak, ka shpallur synimin për të kandiduar për President Federal të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, të realizuar në Muzeun e Vjenës, Fehlinger-Jahn thotë se, nëse zgjidhet president, do të angazhohet për kthimin në Krujë të armëve dhe përkrenares së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Fehlinger-Jahn është kryetar i Austrian Committee for NATO Enlargement dhe prej vitesh angazhohet publikisht për zgjerimin e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai është i njohur edhe për deklaratat e shpeshta në rrjetet sociale për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Rusinë, Ukrainën, NATO-n dhe BE-në.

Lidhjet e tij me Shqipërinë dhe Kosovën datojnë prej vitesh. Në një intervistë për Tirana Times në vitin 2012, Fehlinger-Jahn kishte treguar se për herë të parë kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1998, ndërsa në vitin 2008 ishte vendosur në vend, ku kishte jetuar për disa vite.

Për Kosovën, ai ka bërë fushatë publike në mbështetje të njohjes ndërkombëtare dhe integrimit në NATO dhe BE.

Fehlinger-Jahn e ka bërë tashmë të ditur synimin e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kandidatura e tij do të formalizohet.