Gazetare: Melihate Rustemi
250 euro gjobë për prindërit e fëmijëve që kryejnë akte dhune në shkolla. Kjo është masa që parashikohet me ndryshimet e reja ligjore të cilat po përgatiten nga Ministria e Arsimit dhe deputetët në Kuvend. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se prindërit do të ndëshkohen për çdo akt dhune të kryer nga fëmijët e tyre, por edhe në rastet kur refuzojnë të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse.
“Sekretari shtetëror është në kontakt të vazhdueshëm me deputetët në Kuvend për të finalizuar propozimet për ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor, me të cilat parashikohet dënim për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë. Vendimi tashmë është marrë dhe këto ndryshime do të procedohen në Kuvend. Mbetet propozimi që dënimi të jetë 250 euro për çdo akt dhune të kryer nga fëmija, shumë kjo që do të duhet të paguhet nga prindi. Kjo gjobë do të zbatohet edhe në rastet kur prindi refuzon të bashkëpunojë me shkollën dhe institucionet e tjera kompetente”, deklaroi Vesna Janevska,ministre e Arsimit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se po zhvillohen kontrolle të rregullta nëpër shkolla për të parandaluar bartjen e armëve të ftohta dhe sendeve që mund të përdoren për shkaktim lëndimesh nga nxënësit.
“Kjo është vetëm një nga aktivitetet që kemi ndërmarrë. Një nga obligimet e MPB-së është të kryejë kontrolle gjatë regjistrimit të Agjencive të Sigurimit nëse përmbushin kushtet ose jo. Jam i sigurt se ajo që duhet ndërmarrë është ndërmarrë nga MPB”, theksoi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, nga LSDM akuzojnë institucionet për dështim në garantimin e sigurisë në shkolla, kërkojnë përgjegjësi nga Ministria e Arsimit dhe masa urgjente për parandalimin e dhunës. LSDM propozon 10 masa urgjente për rritjen e sigurisë në shkolla dhe konvikte, duke përfshirë protokolle sigurie, punësimin e psikologëve dhe pedagogëve, ekipe shkollore për parandalim të dhunës, si dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet shkollave, MPB-së dhe qendrave për punë sociale. Linjë anonime dhe platformë digjitale për raportimin e dhunës. Kontrolle më të shtuara dhe mbikëqyrje më të mirë në shkolla dhe konvikte. Programe të detyrueshme për shëndetin mendor të të rinjve. Përgjegjësi më të rreptë për institucionet që nuk reagojnë në kohë. Formimin e një shtabi kombëtar krize për sigurinë në arsim”, thotë Jovançe Manaskov, LSDM.
Rasti i fundit i dhunës në shkolla u regjistrua në shkollën fillore 25 Maj në Hasanbeg, ku një nxënës 15-vjeçar u plagos me një mjet të mprehtë nga një ish nxënës i kësaj shkolle./Alsat.mk.
The post Prindërit do të gjobiten me 250 euro nëse fëmijët e tyre ushtrojnë dhunë në shkolla appeared first on Alsat.
