Maqedonia mbetet pjesë e procesit të zgjerimit me Bashkimin Evropian, theksoi ambasadori qipriot në vend, Andreas Fotiu, duke prezantuar prioritetet e presidencës qipriote të Këshillit të Bashkimit Evropian. Në fjalimin e tij ai theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet rajon me rëndësi strategjike për BE-në, por megjithatë i kushtoi pak hapësirë integrimit të vendit në BE.
“Angazhimi me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë në kuadër të një politike kredibile të zgjerimit, të parashikueshme dhe të bazuar në merita. Do të synojmë vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut, mbështetjen e reformave, stabilitetit dhe perspektivës së përbashkët evropiane”, tha Andreas Fotiu – Ambasador i Qipros në Maqedoni.
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshkoski, e shfrytëzoi seancën për t’i dërguar mesazh Fotiut që presidenca qipriote të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të transportuesve. Ai përkujtoi memorandumin e nënshkruar nga eurokomisarja Marta Kos për integrim më të shpejtë dhe transport të papenguar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përputhje me Planin e Rritjes së BE-së.
“Apeli ynë, në emër të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të koalicionit, është që t’i kërkojmë presidencës qipriote që kjo temë për transportuesit ballkanikë të vendoset në rend dite gjatë mandatit tuaj dhe të gjendet një zgjidhje brenda rregullores ekzistuese për tejkalimin e këtij problemi”, deklaroi Antonio Miloshkoski – Kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.
Kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe, e shfrytëzoi seancën për të drejtuar kritika ndaj qeverisë. Ai tha se është shumë i shqetësuar për gjendjen në vend dhe se pushteti po e pengon rrugën evropiane, duke theksuar edhe pasojat e drejtpërdrejta ekonomike për shtetin.
“Asnjë detyrë e brendshme nuk është përmbushur, sistemi nuk është forcuar dhe nuk mund të jemi të gatshëm as për ndonjë vendim politik nëse do të vinte një i tillë nga Bashkimi Evropian. Problemi është në disa nivele. Së pari, mungesa e vullnetit politik për të zbatuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë qartazi mënyra e vetme për të vazhduar negociatat”, tha Venko Filipçe – Kryetar i Këshillit Nacional për Integrime në BE.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bekim Sali, tha se eurointegrimet nuk janë proces administrativ, por përcaktim strategjik që e definon drejtimin e shtetit.
“Në kohë të tronditjeve serioze gjeopolitike, kur siguria, stabiliteti dhe kredibiliteti evropian janë sërish në provë, politika e zgjerimit nuk është opsion, por domosdoshmëri. Ajo është investim në një Bashkim Evropian stabil, autonom dhe të fortë në vlera. Në këtë kuadër, Maqedonia e Veriut është pjesë e zgjidhjes”, tha Bekim Sali – Zëvendëskryeministër Për Çështje Evropiane.
Mandati gjashtëmujor i Qipros, e cila mori presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 janar, do të zgjasë deri më 30 qershor.
