Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar, në mbledhjen e radhës, bashkëpunimin me Bashkinë Peqin për ndërtimin e një fushe futbolli me bar artificial, në kuadër të projektit madhor të FSHF-së “100 Fushat”.

Projekti synon të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në qytetin e Peqinit dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit, veçanërisht për fëmijët, të rinjtë dhe ekipet sportive të zonës.

Në kuadër të marrëveshjes, Bashkia Peqin do të mundësojë një sipërfaqe prej 19,695 m² dhe do të marrë përsipër ndërtimin e bazamentit dhe rrethimin e fushës, ndërsa FSHF do të financojë dhe realizojë vendosjen e tapetit me bar artificial, si dhe do të sigurojë portat, flamujt e këndit dhe pajisjet e nevojshme për mirëmbajtjen e saj.

Ky bashkëpunim është një tjetër hap në kuadër të projektit “100 Fushat”, përmes të cilit FSHF vijon investimet në infrastrukturën futbollistike në të gjithë vendin, me synimin për t’u dhënë më shumë mundësi fëmijëve dhe të rinjve për t’u angazhuar në futboll dhe për të zhvilluar talentin e tyre në kushte bashkëkohore.

The post Projekti “100 fushat”! Shqipërisë i shtohet një tjetër fushë me bar artificial appeared first on Telesport.