Gazetar: Petar Çausheski

Prokuroria kërkon që gjykata t’i shqiptojë dënim maksimal Stojançe Jovanovski për veprat penale për të cilat akuzohet. Mbrojtja e Jovanovskit vlerëson se gjatë gjykimit nuk është dëshmuar fajësia e tij për veprat që i ngarkohen. Nga prokuroria theksuan se nga provat e shumta është krijuar një pasqyrë e qartë për dhunën e ushtruar nga Stojançe ndaj bashkëshortes së tij, e cila e çoi Ivanën të vrasë veten bashkë me vajzën gjashtëvjeçare.

“Në ditën kritike, Ivana nuk ka marrë “vendim të lirë dhe autonom”, por është dërguar në kolaps psikologjik të shkaktuar nga dhuna kronike. Ajo më nuk ka arritur të shohë alternativa për t’u larguar nga bashkëshorti i saj i dhunshëm, nuk ka parë më mundësi për ndihmë, me ç’rast perceptimi i saj është ngushtuar në një opsion të vetëm – ndërprerjen e vuajtjes me çdo kusht duke vdekur”, deklaroi Adela Bojçeviq, prokurore.

  • Nuk ka arritur të shohë alternativa për t’u larguar nga bashkëshorti i saj i dhunshëm

Avokati i familjes së Ivanës kërkoi edhe dëmshpërblim material nga i akuzuari dhe vlerëson se me aktgjykimin për këtë rast duhet të dërgohet një mesazh i qartë për parandalimin e dhunës në familje.

“Ky rast duhet të jetë një mesazh i qartë se dhuna në familje nuk është çështje private, por problem shoqëror dhe shpresojmë që të jetë një mesazh që në të ardhmen të mos ketë më Ivana të reja dhe as fëmijë të rinj viktima të dhunës së vazhdueshme në familje”, tha Neda Çallovska–Dimovska, avokate.

Jovanovski në dëshminë e tij para gjykatës e përmendi dëshmitarin Martin Sazdov, duke thënë se në ditën fatale ai e kishte goditur Ivanën dhe se ai vetë nuk e kishte shkaktuar tragjedinë.

“Do të jepja gjithçka që të mund t’i kthej fëmijën tim dhe bashkëshorten time. Kërkesën nga nëna dhe vëllai do ta përmbush pa problem, sepse materialja nuk ka asnjë rëndësi. Do të jepja gjithçka që të mund t’i kthej fëmijën tim dhe bashkëshorten time”, tha Stojançe Jovanovski, i akuzuar.

Stojançe Jovanovski akuzohet për veprat penale shkaktim i lëndimit të rëndë trupor gjatë ushtrimit të dhunës në familje, rrezikim i sigurisë dhe nxitje për vetëvrasje. Aktgjykimi për këtë rast do të shpallet më 7 maj./Alsat.mk.

The post Prokuroria kërkon denim maksimal për Stojançe Jovanovskin appeared first on Alsat.