Qytetarët që kanë punuar në Afganistan dhe Irak së bashku me studentët që përmes programit “Work and Travel” kanë punuar jashtë vendit, protestuan para Drejtorisë së të Ardhurave Publike për shkak të njoftimeve që kanë marrë se duhet të paguajnë tatim për paratë që i kanë fituar jashtë shtetit. Janë të revoltuar se zyrtarë të ndryshëm tatimorë i informojnë në mënyra të ndryshme dhe pyesin pse askush nuk i ka njoftuar deri tani.

“Gjermania na i kthen për të na mbështetur ne si të rinj, për të na motivuar të jemi një faktor i mirë në shoqëri dhe të bëjmë diçka pozitive me arsimin tonë, rininë tonë, dhe këtu për këtë na ndëshkojnë, për atë punë në shtet të huaj. Dhe për ato tre muaj ne nga këtu nuk marrim asnjë sigurim social, asnjë mbrojtje, asnjë sigurim shëndetësor, asnjë sigurim pensional”, tha një student.

Qytetarët që kanë punuar në Afganistan dhe Irak pyesin çfarë është pritur për pesë vite. Ata pretendojnë se tatimi është paguar jashtë vendit dhe janë kundër tatimit të dyfishtë.

“Nuk mundet një institucion të jetë në letargji 5 vite dhe pastaj pas pesë viteve ai institucion të zgjohet dhe të thotë ej ju keni tatim në vitin 2020.
Për mua janë paguar nga ajo kompani 12.800 euro për tre vite tatim, domethënë 4.000 euro në vit. Ata nuk e pranojnë. A e di çfarë na tha drejtoresha? Kjo është falsifikim. Këtë unë mund t’ua bëj juve”, u shpreh një qytetar.

Drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova, thotë se tatimi për të ardhurat nga jashtë nuk është i ri dhe se duhet të mblidhet. Ajo tha se për vitin 2025 kanë identifikuar 134 studentë që kanë punuar në Gjermani, 19 kanë dorëzuar deklaratë, 10 kanë paguar tatim. Për personat që kanë qenë në misione në Afganistan dhe Irak, kërkohet dëshmi se tatimi është paguar në një shtet tjetër. Për 257 persona është kërkuar verifikim përmes MPJ, deri tani ka pasur përgjigje vetëm për një person.

“Jemi të vetëdijshëm se një pjesë e qytetarëve përballen me këto obligime administrative dhe financiare, për të cilat në të kaluarën nuk janë informuar dhe nuk u janë planifikuar. Por kjo nuk e ndryshon obligimin ligjor. Prandaj qasemi me mirëkuptim dhe me përgjegjësi të qartë për ta zbatuar ligjin”, theksoi Elena Petrova – drejtoreshë e DAP.

Sipas të dhënave të DAP-it, kthesa vjen nga viti 2024, kur ka filluar përpunimi sistematik i të dhënave nga bankat. Për vitin 2020 janë dërguar 11.527 njoftime. Tatimi total i përcaktuar është rreth 2,8 milionë euro, nga të cilat deri tani janë mbledhur rreth 494.000 euro. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se 70.869 qytetarë kanë pasur të ardhura nga jashtë në vlerë totale prej 577 milionë eurosh. Nga DAP thonë se të gjithë nuk i nënshtrohen tatimit. Deri tani janë dërguar 9.522 njoftime, ndërsa 4.459 persona kanë dorëzuar deklarata vullnetarisht.