Sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë sipas parimit të “lingua franca”, përkatësisht në gjuhën maqedonase, dhe kjo lidhet me sundimin e së drejtës, e jo me të drejta të tjera apo politizime, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, përcjell TV21. I pyetur nëse në seancën e Qeverisë do të shqyrtohet çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, si dhe për deklaratat e partnerit të koalicionit ZNAM lidhur me këtë çështje, Mickoski tha se nuk do të ketë kërkesë apo zgjidhje që provimi i jurisprudencës të jepet tërësisht në gjuhën shqipe. Ai theksoi se zgjidhja që do të paraqitet në seancën qeveritare përbëhet nga dy pjesë.

“Po, së pari nuk do të ketë kërkesë apo zgjidhje me të cilën do të jepej provimi në gjuhën shqipe. Zgjidhja që do të prezantohet në seancën qeveritare përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë thotë se studentët do të jenë në gjendje ta japin pjesën që lidhet me studimet e tyre të ciklit të parë në një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, pasi në Maqedoni studime të këtilla zhvillohen në tri gjuhë: shqip, turqisht dhe anglisht. Pra, do ta japin në gjuhën në të cilën kanë përfunduar arsimin e lartë. Pjesa tjetër e provimit, konkretisht provimi i jurisprudencës, ku simulohet një proces gjyqësor nga procedura penale dhe civile, do të zhvillohet në „lingua franca“, përkatësisht në gjuhën maqedonase. Kjo, sipas tij, përsëri konfirmon se sistemi gjyqësor duhet të funksionojë sipas parimit „lingua franca“, që është gjuha maqedonase, pasi kjo lidhet me sundimin e së drejtës dhe jo me ndonjë të drejtë tjetër apo me politikën që lidhet me të”, tha Mickoski.