Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ende nuk e ka parë propozimin e grupit të ekspertëve kushtetues për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, përcjell TV21. Mickoski tha se kjo temë do të diskutohet javën e ardhshme në kabinetin e tij.

“Le ta shohim propozimin. Unë ende nuk e kam parë. Mendoj që javën e ardhshme, të hënën është dakorduar mbledhje te unë në kapinet që të prezantohet propozimi”, tha shkurt Mickoski.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, paralajmëroi se pjesa teorike do të mund të jepet në shqip me kërkesë të kandidatit, ndërsa pjesa praktike do të mbetet në maqedonisht, pasi dokumentet gjyqësore janë vetëm në atë gjuhë. Kujtojmë se ekzekutivi paralajmëroi se zgjidhja fillimisht do të dërgohet në Komisionin e Venecias, ndërkaq studentët insistojnë se nuk ka nevojë për zgjidhje të re ligjore, respektivisht se vetëm duhet të zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.