Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Me ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit do të vendoset rend dhe disiplinë në këtë sektor. Maqedonia nuk do t’i ngjajë Las Vegasit për këtë aspekt. Kështu kryeministri Micksoki arsyetoi miratimin e propozim-ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse. Mickoski u shpreh i bindur se me ndryshimet ligjore nuk humben vendet e punës pasi sipas tij bëhet fjalë për rregullimin e një sistemi që ka qenë shkak për shumë tragjedi familjare dhe njerëzore.

“Kemi ndjesinë se shteti ngadalë por sigurt ngjasonte në Las Vegas. Në çdo hap shihnim lokale ku me reklama të forta ndriçuese reklamoheshin lojërat e fatit, para së gjithash mendoj për kazinotë dhe bixhozin, dhe disi si rregull pranë tyre menjëherë kishe zyra për kredi të shpejta. Me këtë ligj rregullohet kjo veprimtari. Nuk do të ketë më reklama të tilla që tërheqin vëmendjen. Me këtë ligj, të vetëdijshëm për pasojat, ndoshta edhe për efektin fiskal, por ne vlerësojmë se me këtë ligj duhet të vendoset rend dhe disiplinë në lojërat e fatit dhe se shteti nuk mund të ngjajë me Las Vegas”, deklaroi, kreyministri Hristijan Mickoski 

Përpos ndryshimeve në ligjin për lojërat e fatit, kreu i VLEN-it Izet Mexhiti paralajmëroi edhe mbylljen e kredive të shpejta.

“Po vendosim 500 metra distancë nga shkollat, po ndalojmë reklamat e bixhozit, po sjellim rregulla më të forta për mbrojtjen e familjeve. Vite me radhë flitej e prot estohej kundër bixhozit, por kazinotë shtoheshin për ditë, e sot pa protestë, pa zhurmë po i japim zgjidhje ligjore. Sepse kur japim zotim para qytetarëve nuk bëjmë propagandë e bëjmë realitet. Kazinotë po mbyllen, radhën e kanë kreditë e shpejta”, tha Izet Mexhiti, kryetar i VLEN 

 Propozim ligji për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse i miratuar nga Qeveria sjell kufizime të rrepta në reklamimin e lojërave të fatit, duke ndaluar promovimin që i paraqet ato si rrugë drejt suksesit financiar ose që synon të miturit, si dhe përdorimin e personazheve publike në reklama. Gjithashtu, objektet e lojërave të fatit duhet të jenë të paktën 500 metra larg shkollave, ndërsa brenda kësaj zone ndalohen pajisjet elektronike të lojërave të fatit. Qeveria po ashtu njoftoi mbylljen e 358 platformave ilegale online dhe vazhdimin e masave kundër bixhozit të paligjshëm. Qëllimi i ligjit sipas Qeverisë është krijimi i një sistemi më të kontrolluar dhe mbrojtja e të rinjve nga varësia ndaj bixhozit.

The post Qeveria miraton ligj të ri për lojërat e fatit: kufizime të rrepta për reklamat dhe distancë 500 metra nga shkollat appeared first on Alsat.