Gazetar: Angell Dimovski

Nëse analizat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut tregojnë rritje të çmimeve të ushqimeve, autoritetet do të vendosin masa. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se aktualisht po analizohen të dhënat nga inspektorati, sipas të cilave në nivel mujor ka një rritje prej rreth 1%. Sipas tij, rritja më e madhe është vërejtur te shërbimet e transportit, veçanërisht te biletat e kompanive ajrore me kosto të ulët, gjë që do të ndikojë më tej në inflacionin e përgjithshëm.

“Nuk kemi hapësirë të madhe për manovrim si qeveri, përveç se të ndikojmë në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Sepse nëse ngrijmë çmimet dhe marzhet, ato më pas transferohen në muajt e ardhshëm dhe kjo u tregua si masë e keqe,” deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Sipas Mickoskit, për momentin autoritetet kanë vendosur masa të targetuara, si për plehrat kimike, gazin natyror të lëngshëm dhe marzhat e fitimit me tregtarët. Ai shtoi gjithashtu se, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, shteti ishte ndër tre vendet e para.

Por LSDM opozitare thotë se realiteti është ndryshe, duke theksuar se qytetarët përballen me frigoriferë dhe xhepa bosh.

“Realitetin qytetarët e shohin me frigoriferë dhe xhepa bosh. Nuk ka paga më të larta. Nuk ka pagë minimale prej 600 eurosh. Nuk ka masa për mbrojtjen e standardit jetësor. Investimet janë ulur për 60%, punëtorët e Maqedonisë po shkarkohen nga puna, numri i të punësuarve në industri është ulur me 4.000. Po mungojnë paratë në Buxhet, Mickoski ka krijuar një borxh të ri prej 2,3 miliardë eurosh mbi kurrizin e popullit, gjë që çon në pasiguri financiare,” tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq – Sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

Pritjet e autoriteteve janë që inflacioni në muajin e ardhshëm të ulet nën 4%. Nëse ndodh stabilizimi i situatës në Iran dhe rajonin e Gjirit, ai vlerëson se deri në fund të vitit inflacioni do të lëvizë ndërmjet 2% dhe 3%.

The post Qytetarët drejt varfërisë? Qeveria paralajmëron masa të reja, opozita flet për “frigoriferë bosh” appeared first on Alsat.