Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se e drejta për protestë është e pacenueshme, por sipas tij, sulmet ndaj projektit në zonën e Zvërnecit vijnë nga forca të brendshme dhe të jashtme që nuk e mbështesin zhvillimin e vendit në këtë nivel të ri ekonomik dhe turistik.
Ai theksoi se Shqipëria tashmë ndodhet në një fazë të re zhvillimi dhe se projektet strategjike si ai në Zvërnec e çojnë vendin në një nivel tjetër, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe investimeve të mëdha ndërkombëtare.
Sipas kryeministrit, kundërshtimi ndaj këtyre projekteve nuk lidhet vetëm me shqetësime lokale, por edhe me interesa më të gjera që nuk e duan Shqipërinë si një destinacion konkurrues në rajon dhe më gjerë.
“E drejta për të protestuar nuk mund të vihet në diskutim, por sulmet politike mbi projektin, si nga forca të brendshme që predikojnë urrejtje apo kërkojnë kthimin në komunizëm, ashtu edhe nga forca të jashtme që nuk e duan këtë projekt, janë pjesë e një konkurrencë të thjeshtë politike. Ne kemi hyrë në një territor shumë të ndryshëm nga ai që kemi qenë, pasi ky projekt e ngre vendin në një nivel tjetër me realizimin e tij”, tha Rama.
Rama pranoi se sjellja e kompanisë private të sigurisë gjatë incidentit ishte e papranueshme, ashtu si edhe reagimi i Policisë së Vlorës, për të cilin u morën masa të menjëhershme. Kryeministri shtoi se projekti në Zvërnec përfaqëson një investim strategjik që synon ta pozicionojë Shqipërinë në një nivel më të lartë të konkurrencës ndërkombëtare në turizëm dhe ekonomi.
“Natyrisht, sjellja e kompanisë së sigurisë ishte e neveritshme, dhe po aq e papranueshme ishte edhe sjellja e Policisë së Vlorës. Për këtë ka pasur reagim të menjëhershëm nga lidershipi i Policisë së Shtetit, me shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës dhe vendosjen nën hetim të gjithë zinxhirit përgjegjës. Po ashtu janë marrë masa për heqjen e licencës së kompanisë private të sigurisë dhe arrestimin e personit që ushtronte dhunë ndaj protestuesit. Nuk di çfarë mund të bëjë më shumë shteti. Nuk ka asnjë relativizim të dhunës; përkundrazi, ka pasur reagim të menjëhershëm, duke shkarkuar ata që nuk ndaluan dhunën”, tha ai.
Paraprakisht, Rama tha se investitorët nuk vijnë nga Izraeli, por nga Katari dhe investimi kap vlerën e 4 miliardë eurove.
