Një rast i pazakontë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen Karposh të Shkupit, ku një pelë ka lindur një mëz në mes të rrugës “Ilindenska”.

Pas publikimit të fotografive në rrjetet sociale, menjëherë kanë ndërhyrë ekipet e Kopshtit Zoologjik të Shkupit . Sipas njoftimit të kryetarit të Shkupit, Orce Gjeorgievski, kafshët janë vendosur në karantinë, ku do të marrin kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm profesional.

Gjeorgievski tha se ekipet e Kopshtit Zoologjik kanë reaguar menjëherë, edhe pse, sipas tij, trajtimi i rasteve të tilla nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të institucionit. Ai kërkoi nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari dhe Ministria e Bujqësisë që të ndërmarrin masa të koordinuara për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj kafshëve.

Ndërkohë, ende nuk ka të dhëna të konfirmuara publikisht se kujt i përkasin kafshët dhe si kanë përfunduar në rrugë në momentin kur pela ka lindur.

Rasti ka hapur edhe diskutime për praninë e kafshëve të pambikëqyrura në rrugët e Shkupit dhe nevojën për masa më të qarta për mbrojtjen e tyre dhe sigurinë e qytetarëve. /Alsat.mk

The post Rast i rrallë në Shkup, Pela sjellë në jetë të voglin në mes të bulevardit appeared first on Alsat.