Gazetar: Suad Bajrami

Ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami i cili është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sot për herë të parë u ul në bankën e të akuzuarit, pas dorëzimit nga arratia 21 mujore. Bajrami, u soll me pranga në duar nga Burgu i Shutkës, ku po mbahet në paraburgim.

Meqenëse në seancën paraprake u vendos që Bajrami të gjykohej në mungesë, pas paraqitjes, gjyqtarja e lëndës tha se me ardhjen e Bajramit, kjo rrethanë bie poshtë dhe Bajrami do të gjykohet së bashku me 7 të akuzuarit e tjerë, përfshirë dhe ish zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi.

Pasi iu lexua aktakuza, ish drejtori i Lotarisë Bajrami, ashtu sikur të gjithë të akuzuarit e tjerë, tha se nuk ndihet fajtor për veprën që Prokuroria e ngarkon.

Megjithatë seanca u ndërpre për shkak të mospajtimeve të palëve rreth mënyrës së leximit të listës së provave nga ana e Prokurorisë. Organi i akuzës kërkonte që t’i lexojë titujt e 231 provave, ndërsa mbrojtja e Bajramit kërkonte që të ketë shpjegim.

“Gjithçka që do të jetë si përmbajtje është e pakontestueshme që do të lexohet dhe prezantohet që të gjithë, edhe gjykata, edhe prokuroria, të akuzuarit, por edhe ju si publik ta dini përmbajtjen dhe nëse ajo është diçka që mbështetë këtë akuzë ose diçka që nuk jep bazë për dorëzimin e tij”. – Avokati i Bajramit, Elenko Millanov.

Në seancën e radhës më 23 shtator, mbrojtja e të gjithë të akuzuarve pritet që të prezantojë listën e tyre të provave.

Sipas Prokurorisë, Artan Grubi dhe 7 persona të tjerë akuzohen se kanë “Keqpërdorur detyrën zyrtare” pasi kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e VLT aparateve për lojëra elektronike të fatit, për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse të njëjtat asnjëherë nuk janë përdorur, pasi që Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Me këtë, kanë dëmtuar buxhetin për 9,7 milionë euro. Prokuroria e zhvilloi hetimin për veprën penale “Mashtrim në shërbim” për të cilën parashihet dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet, megjithatë propozim akuzën e dorëzoi për vepër tjetër penale që parashikon dënim më të butë, respektivisht prej 1 deri në 5 vjet burg. /Alsat.mk

The post Rasti “Lotaria”: Prokuroria pretendon dëm mbi 9,7 milionë euro appeared first on Alsat.