Rikonstruksioni i Çarshisë së Shkupit po shkon drejt përfundimit, njofton kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përcjell TV21. Sipas tij, deri tani janë realizuar pjesa më e madhe e punimeve në një sipërfaqe prej 1.567 metrash katrorë. Ndërhyrjet kanë përfshirë ujësjellësin, kanalizimin, rrjetin elektrik dhe fibrat optike, si dhe restaurimin e kalldrëmit me gur travertin dhe vendosjen e ndriçimit të ri tradicional.

“Premtuam ta rikthejmë shkëlqimin e Çarshisë. Sot, rezultati po shihet. Pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar dhe rikonstruksioni po shkon drejt përfundimit. Në 1.567 m², kemi ndërhyrë nga nëntoka deri te pamja përfundimtare, në ujësjellës, kanalizim, rrjet elektrik dhe fibra optike, restaurim të kalldrëmit me gur travertin, ndriçim të ri tradicional dhe hapësira më të rregulluara për këmbësorët. Me mbi 28 milionë denarë investim, pas më shumë se pesë dekadash, Çarshia po ndryshon rrënjësisht duke ruajtur identitetin e saj”, ka shkruar Mexhiti.