Gazetare: Lisa Alili

Shpresat për uljen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit sërish po zbehen. Pas disa ditëve qetësie dhe përpjekje diplomatike për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, situata u përshkallëzua sërish. Irani ndërmori sulm me raketa balistike ndaj forcave amerikane në rajon. Përgjigja nuk vonoi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabinë Saudite që u kundërpërgjigjën me sulme ndaj grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani në Irak. Ndërkohë, Arabia Saudite raportoi edhe interceptimin e dronëve që kishin në shënjestër objekte të saj të lidhura me industrinë e naftës.

Ndërkaq, Omani është rikthyer në debat me një propozim për të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të frenuar konfliktin SHBA-Iran. Omani, në rolin e ndërmjetësuesit, i ka paraqitur Teheranit një plan të mbështetur nga vendet e Lindjes së Mesme. Propozimi parashikon menaxhim rajonal të ngushticës dhe pagesa vullnetare nga anijet që e përdorin atë. Irani ka refuzuar propozimin, duke këmbëngulur se duhet të ruajë kontrollin mbi korridoret kryesore të lundrimit. Uashingtoni kërkon rikthimin në gjendjen e mëparshme të luftës, kur anijet mund të kalonin lirisht pa pagesë, dhe pohon se vendosja e tarifave të detyrueshme do të ishte e paligjshme.
Ndalimi i sulmeve amerikane gjatë fundjavës uli dukshëm çmimet e naftës mirëpo me përshkallëzimin e situatës këtë të martë, u vërejt dukshëm efekti në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës pësuan rritje deri në 4%, me Brentin që shkoi në 87.30 dollarë për fuçi dhe naftën amerikane që u rrit në 82.30 dollarë për fuçi.

Përderisa Omani përpiqet të gjejë një kompromis për Hormuzin, përplasjet mes SHBA-ve, Iranit dhe forcave të lidhura me Teheranin po rrezikojnë ta zgjerojnë krizën në të gjithë rajonin./Alsat.mk.

The post Rikthehen tensionet SHBA-Iran, rritet shqetësimi për Hormuzin dhe çmimin e naftës appeared first on Alsat.