Emisioni “Në Shtëpinë e Futbollit” është rikthyer në ekran për sezonin e ri në FSHF TV, nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, duke sjellë në fokus zhvillimet më të rëndësishme të futbollit shqiptar, nisjen e “Abissnet Superiore” dhe sukseset e skuadrave shqiptare në arenën europiane.
Në puntatën e parë të sezonit, pjesë e panelit ishin Florian Riza, pjesë e përhershme e emisionit, si dhe të ftuarit Ardi Behari, Drejtor i Edukimit në FSHF, dhe moderatorja sportive e RTSH-së, Hygerta Sako.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte sezoni i ri i “Abissnet Superiore”, formati i ri i kampionatit dhe risitë e këtij edicioni. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rregullit për aktivizimin me detyrim nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare, si një tjetër hap në funksion të zhvillimit dhe promovimit të talenteve të rinj shqiptarë.
Në fokus ishte edhe paraqitja e skuadrave shqiptare në kompeticionet europiane, me lidhje të drejtpërdrejta nga Norvegjia dhe Qiproja. Nga Lillestrøm, Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, foli për objektivat dhe sfidën e skuadrës rrogozhinase, ndërsa nga Limassoli, Drejtori Sportiv i Dinamo City, Luan Pinari, solli informacionet më të fundit para ndeshjes vendimtare ndaj Pafos.
Emisioni analizoi më tej javën e parë të “Abissnet Superiore”, rezultatet dhe renditjen, duke u ndalur në sfidat kryesore. U diskutua fitorja e Egnatias 3-0 ndaj Tiranës, suksesi i Vorës 1-0 ndaj Dinamo City, si dhe tre barazimet e javës: Vllaznia 2-2 Skënderbeu, Partizani 0-0 Teuta dhe Laçi-Elbasani 1-1.
Vëmendje iu kushtua edhe Kombëtares U-21 dhe performancës së saj në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Në rubrikën për legjionarët kuqezi u sollën në vëmendje paraqitjet e futbollistëve shqiptarë në kampionatet europiane, me Ernest Muçin që dhuroi asist për Mohamed Salah, Cristian Shpendin, Jasir Asanin dhe Rey Manajn që gjetën rrugën e rrjetës, si dhe Gabriel Kullën, i cili debutoi në Serie A me Sassuolon.
Me një panoramë të gjerë të zhvillimeve më të fundit, analiza dhe lidhje direkte nga disa prej pikave kryesore të futbollit shqiptar, “Në Shtëpinë e Futbollit” e nisi sezonin e ri duke sjellë pranë publikut informacionin, komentet dhe protagonistët e futbollit vendas dhe kombëtar.
The post Rikthehet “Në Shtëpinë e Futbollit”, nga analiza e Superiores e deri tek aventura europiane e skuadrave tona appeared first on Telesport.
