Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani, ka komentuar përfshirjen e hoxhës Osman Musliu në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se për të më shumë rëndësi ka ideologjia politike sesa profesioni apo emri i kandidatëve.

Rrahmani, i cili është edhe prijës i Listës për Familjen, tha se secili person që angazhohet politikisht në një subjekt, sipas tij, bëhet pjesë e agjendës dhe orientimeve që ajo parti përfaqëson.

“Për mua pak kanë rëndësi emrat dhe profesionet nga vijnë. Nëse ti angazhohesh politikisht, ti angazhohesh për një ideologji. LVV-ja nga viti 2014, në statutin e saj e ka të qarta orientimet dhe qëndrimet publike madje, deri në vitin 2022, Albin Kurti kurrë nuk ka dalë publikisht në asnjë paradë, të krenarisë në thonjëza që e quajnë këta, dhe nuk ka pasur asnjë deklarim publik që do të angazhohemi që do të ketë ligj për ndërrim të gjinisë, që do të ketë ligj për këto. Prej vitit 2024, Albini ështësa i përket këtyre çështjeve, është transparent me popullin. Dmth ka paraqitur angazhimin e tij, ideologjinë e tij dhe një lloj betimi në thonjëza për shtyrjen e kësaj agjende para. Kushdo për mua, që i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, i bashkohet me qëllim të shtyrjes së kësaj agjende”, tha Rrahmani.

Ai në intervistën zgjedhore të KosovaPress foli edhe për raportin mes fesë dhe politikës, duke theksuar se besimi është çështje personale dhe se nuk dëshiron të vlerësojë sa fetar është kryeministri në detyrë Albin Kurti, me të cilin ka bashkëpunuar më herët, apo figura të tjera politike.

Megjithatë, ai akuzoi partitë politike për keqpërdorim të elementeve fetare gjatë fushatave zgjedhore, duke thënë se figura të ndryshme përdoren për përfitime politike dhe elektorale.Ai deklaroi se personalisht është praktikues i fesë islame, por se angazhimin politik e sheh të lidhur me zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e familjes dhe luftimin e padrejtësive ndaj të gjitha komuniteteve fetare.