Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se një pjesë e madhe e shfrytëzuesve të shtyllës së dytë pensionale do të zhgënjehen dhe nuk do të jenë të kënaqur me atë që do të shohin në llogaritë e tyre, ka frikësuar dhe zhgënjyer shumë qytetarë, të cilët kanë reaguar te opozitarja LSDM. Lideri i partisë, Venko Filipçe, pyet se çfarë fshihet konkretisht pas deklaratës së kryeministrit, i cili ka thënë se i vjen keq dhe se shtylla e dytë pensionale është vendosur kot.

“Parashtrohet pyetja nëse kryeministri ka për qëllim që përmes mekanizmave shtetërorë të ndërhyjë në atë fond, ku njerëzit paguajnë për të pasur mjete të mjaftueshme për ditët dhe vitet e pensionit, dhe në këtë mënyrë ta dëmtojë atë. Pra, njerëzit janë të frikësuar nëse fare do t’i marrin këto para mbrapsht dhe çfarë fshihet saktësisht pas deklaratës së kryeministrit”, tha Filipçe

Kryeministri Mickoski, në podcastin “Ku janë paratë”, tha se nga perspektiva e sotme kjo shtyllë nuk është e sigurt se do të japë rezultatet e pritura dhe paralajmëroi se një pjesë e madhe e shfrytëzuesve mund të mos jenë të kënaqur me atë që do të shohin në llogaritë e tyre. Kryeministri foli edhe për disa nga idetë që po shqyrtohen për reforma në sistemin pensional. Është diskutuar mundësia që pensionistët e ardhshëm fillimisht ta shfrytëzojnë plotësisht kursimin nga shtylla e dytë dhe më pas të kalojnë në marrjen e pensionit nga FSPIM, me çka fondi shtetëror do të kishte hapësirë për stabilizim.

Se po rritet hendeku në sistemin pensional shtetëror kanë paralajmëruar edhe revizorët në raportin për punën e vitit 2024. Ata kanë konstatuar se deri në fund të shkurtit të këtij viti, FSPIM kishte borxh edhe 136.4 milionë euro për sigurimin shëndetësor të pensionistëve, ndërsa ndaj fondeve private pensionale kishin mbetur kontribute të pashpërndara në vlerë prej 42.2 milionë eurosh.

Por, nga Fondi Pensional qetësojnë se nuk ka arsye për panik te pensionistët.

“Qytetarët dhe pensionistët duhet të jenë të sigurt se stabiliteti financiar i Fondit, pagesa e rregullt e pensioneve, funksionimi i pandërprerë i sistemit pensional dhe sigurimi i vazhdueshëm i të drejtave shëndetësore të pensionistëve nuk janë vënë në pikëpyetje. Rritja e këtyre detyrimeve është pasojë e drejtpërdrejtë e rritjes historike të pensioneve në shtet. Me vendimet e marra gjatë periudhës së kaluar, pensionet janë rritur nominalisht për rreth 7.000 denarë në muaj për të gjithë 347.000 pensionistët”, tha Fondi FSPIM

Në raportin e revizorëve është theksuar edhe varësia e FSPIM-it nga transferet buxhetore. Në vitin 2024, ato kanë marrë pjesë me 36.71 për qind në të hyrat totale të Fondit dhe brenda një viti janë rritur për 4.14 për qind. Revizioni ka theksuar edhe përkeqësimin e raportit – për një pensionist ka 1.63 të siguruar, ndryshe nga më parë kur raporti ishte 1 me 1.70.