Qeveria do të ndërhyjë me masa shtesë pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të karburanteve, paralajmëron kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, po analizohen nëse masat do të jenë të targetuara apo të përgjithshme, si në të kaluarën.
“E ndjekim situatën. Si Qeveri tashmë kemi marrë masë me uljen e një pjese të akcizave për benzinën dhe naftën, por fatkeqësisht çmimet në tregjet ndërkombëtare po rriten. Sot përsëri po afrohen kufirit psikologjik prej 100 dollarësh për fuçi, ndërsa konfliktet ushtarake në Gjirin Persik po intensifikohen”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
I pyetur nëse ekziston mundësia për uljen e TVSH-së për karburantet, Mickoski tha se kjo është një nga alternativat, edhe pse jo më e preferuara për shkak të ndikimit në të hyrat e buxhetit.
“Po, edhe kjo është një nga opsionet. Ndoshta është opsioni më pak i dëshiruar, sepse ndikon drejtpërdrejt në të hyrat e buxhetit, por për ne është i rëndësishëm standardi i qytetarëve. Kur është e nevojshme, si Qeveri duam t’u dalim në ndihmë qytetarëve”, pohoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Sipas vendimit të fundit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i benzinës u rrit për 3 denarë, ndërsa i naftës për 6 denarë për litër. si rrjedhojë Benzinë EUROSUPER BS-95 shitet për 90,00 denarë/litër, ajo EUROSUPER BS-98 për 92,00 denarë/litë, ndërsa nafta për 94,00 denarë/litër.
