Rumen Radev do të jetë kryeministër i ri i Bullgarisë. Sipas të dhënave të fundit, ai ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë. Por cilat janë pritjet e Maqedonisë së Veriut nga kryeministri në ardhje i Bullgarisë, Radev? Presidentja Gordana Siljanovska u shpreh optimiste se bashkë me Radevin do të kërkojnë zgjidhje për zhbllokimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

“E kam takuar Radev, e kam takuar shumë herë. Nuk biem dakord për shumë gjëra, por dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin me respekt dhe të arrijmë në përfundimin se do të kërkojmë një zgjidhje. Ne kemi një politikë të jashtme dhe të sigurisë të koordinuar 100 për qind me BE-në dhe disa vende në rajon – Malin e Zi dhe Shqipërinë, dhe pres të shihemi për të folur, sigurisht me të dy flamujt dhe për të kërkuar një zgjidhje të re”, deklaroi Gordana Siljanovska, Presidente.

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në takim me gazetarët tha se Kuvendi është i gatshëm për ndryshimet kushtetuese, por fillimisht pret garanci nga Sofja.

“Shpresoj që në Bullgari të ketë qeveri stabile sepse kjo është në interesin tonë me qëllim që të mbyllim të gjitha çështjet e hapura. Detyrimi ynë është të vazhdojmë rrugën evropiane duke përmbushur kërkesat e KE-së dhe mbylljen e kapitujve. Si Kuvend gjithnjë jemi të gatshëm të realizojmë ndryshimet kushtetuese por na duhen garanci nga Sofja që në të ardhmen nuk do të ketë kërkesa të reja që të preket identiteti”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

• Shpresojmë për Qeveri stabile në Bullgari
• Kuvendi, gati për ndryshimet kushtetuese
• Na duhen garanci nga Sofja për kërkesat

Ndryshimet kushtetuese, përfshirja e bullgarëve në preambulë mbetet kushti kryesor i BE-së që vendi të nisë zyrtarisht bisedimet për anëtarësim./Alsat.mk.

The post Rumen Radev do të jetë kryeministër i ri i Bullgarisë appeared first on Alsat.