Kreu i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela është prononcuar përmes një shkrimi në Facebook pas takimit që realizoi sot me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, përcjell TV21. Sela thotë se në takim është diskutuar për situatën politike në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, në takim është folur edhe për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekua.

“Bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri, sot në Prishtinë takuam Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti. Në takim u bisedua për zhvillimet politike në dy vendet dhe rajon, sfidat e përbashkëta dhe tema të tjera me interes kombëtar dhe për qytetarët e dy vendeve. Potencova rëndësinë e formimit të institucioneve si jetike për vazhdimim e proceseve të rëndësishme që e presin Kosovën si në zhvillimet e brendshme ashtu në procesin integrues, duke përshëndetur dhe inkurajuar në këtë drejtim dialogun me opozitën dhe pjekurinë politike e shtetëformuese të partive politike. Me Kryeministrin Kurti diskutuam për situatën politike në Maqedoninë e Veriut, duke shpalosur shqetësimet në lidhje me tendencat për tu zhvlerësuar edhe ato pak të drejta kolektive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, siç është edhe rasti i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Në bashkëbisedim, shprehëm interesim edhe për rjedhën e projekteve infrastrukturore si rruga Shkup-Bllacë dhe ajo Tetovë-Prizren. Procesi euro-integrues u vlerësua si tejet i rëndësishëm për të ardhmen e vendeve tona dhe u cilësua si rrugë e vetme dhe pa alternativë, ndërsa bashkëpunimi i ndërsjellë do të lehtësojë dhe përshpejtojë këtë proces”, ka shkruar Sela.