Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat pritet të zhvillohen më 18 ose 25 tetor. Vuçiç tha se data përfundimtare do të përcaktohet në ditët në vijim. Sipas tij, në zgjedhje do të garojnë në një listë Partia Përparimtare Serbe dhe aleatët e saj, ndërsa në listën tjetër pritet të përfshihen forcat e tjera politike.
“Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të zhvillohen, siç qëndrojnë gjërat, ose më 18 ose më 25 tetor. Këtë do ta dimë pas disa ditësh” – Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.
Vuçiç theksoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në garën partiake për shkak të postit që mban si president. Ai konfirmoi gjithashtu se do të jepte dorëheqjen nga presidenca dhe se potencialisht mund të jetë kandidat për kryeministër nga lista e partisë tani në pushtet, “Serbia e Bashkuar”. Duke folur për rezultatin që pret nga zgjedhjet, ai tha se forca politike që ai mbështet do të synojë të fitojë shumicën e mandateve në parlament.
“Sa i përket listës së cilës do t’i përkas, ne do të luftojmë vetëm me një fjali – do të luftojmë për të fituar shumicën e votave. Ne e dimë se nuk do të kemi shumicë nëse nuk kemi 126 mandate dhe mendoj se gjërat janë mjaft të qarta këtu. Varet nga njerëzit të bëjnë një zgjedhje”
Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes për Decentralizim të Serbisë, Dragan Miliç, tha se Partia e Vuçiqit po “përgatit vjedhje zgjedhore të paprecedentë” me një listë votuesish fiktive, në të cilën ka një numër të madh qytetarësh që nuk kanë lindur dhe nuk kanë vendbanim të përhershëm në Serbi. Zgjedhjet e reja pritet të zhvillohen në një klimë të tensionuar politike në Serbi, pas muajsh përplasjesh, protestash dhe debatesh të forta politike në vend. Data përfundimtare e zgjedhjeve pritet të konfirmohet zyrtarisht në ditët e ardhshme. / Alsat.mk
The post Serbia drejt zgjedhjeve të parakohshme në tetor appeared first on Alsat.
