Stephen Curry zgjodhi kohën e duhur për të shfaqur potencialin e tij në Lojërat Olimpike. Ai ishte shpëtimtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të enjten mbrëma në Paris.

Ylli i Golden State Warriorsit udhëhoqi SHBA-në në fitoren ndaj Serbisë, ndaj së cilës ishte në disavantazh prej 17 pikëve. Por, në fund, yjet e ligës NBA shkëlqyen dhe fituan 95:91, në gjysmëfinalen e turneut të basketbollit, në kryeqendrën franceze.

Tani SHBA-ja do të mundohet që ta fitojë medaljen e pestë rresht të artë olimpike të shtunën, kur do të ballafaqohet me Francën në finale.

Curry shënoi më së shumti pikë në Lojërat Olimpike brenda një ndeshjeje. Ai pati 36 në total, ndërsa nëntë prej tyre i realizoi nga vija e trepikëshit. Ai i shënoi fillimisht 14 pikët e para nga 15 sa i pati SHBA-ja përgjatë çerekut të parë. 17 i pati në fund të periudhës së parë. Bashkëlojtarët e tij nuk ishin në natën më të mirë dhe këtë e shfrytëzoi Serbia që pati 11 pikë epërsi pas pjesës së parë dhe e mbajti epërsinë e lartë deri në fundin e ndeshjes.

Por, në momentet e duhura, në skenë doli edhe Joel Embiid, që i dha shtytje ekipit të SHBA-së, atëherë kur duhej. Ai pati seri 7:0 me pikë të shënuara, ndërsa më pas nisi shkëlqimin edhe LeBron James. Curry u rikthye me trepikësh, të nëntin në mbrëmje. Amerikanët më pas me të tjera pikë të Jamesit dolën në epërsi dhe nuk e lëshuan atë deri në fundin e ndeshjes.
Embiid e mbylli takimin me 19 pikë të realizuara, derisa kontribuoi edhe me katër kërcime.
Jamesi kontribuoi me “triple-double” prej 16 pikëve, 12 kërcimeve e 10 asistimeve. Ishin të vetmit këta tre basketbollistë që patën pikë dyshifrore tek ekipi i SHBA-së.
SHBA-ja tani do të ballafaqohet me Francën në finale.

Guerschon Yabusele shënoi 17 pikë në fitoren e Francës kundër Gjermanisë në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike që po mbahen në Paris. Franca e mposhti Gjermaninë me rezultatin 73-69 të enjten. Isaia Cordinier shtoi 16 pikë dhe Victor Wembanyama 11 pikë dhe shtatë kërcime për Francën që siguron për herë të dytë paraqitjen në finale të Lojërave Olimpike. Për Gjermaninë më së shumti pikë shënoi Dennis Schroder. Ai shënoi 18 pikë, kurse Franz Wagner i shtoi dhjetë pikë e tetë kërcime.

Do të jetë përsëritje e finales së “Tokio 2020”, që u organizua para tre vjetësh.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin fituar ndaj Francës dhe e kishin fituar medaljen e katërt të artë rresht.