Veshjet e lira nga platformat online “Shein” dhe “Temu” në Francë po përballen me kosto shtesë, pasi vendi ka nisur të aplikojë tarifa të reja mjedisore për të ashtuquajturën modë ultra e shpejtë.
Vlera e tarifës varet nga lloji dhe çmimi i produktit. Për artikuj më të lirë, si çorapet, ajo mund të jetë rreth 25 eurocentë, ndërsa për palltot dhe veshjet e tjera më të shtrenjta mund të arrijë deri në 12 euro. Shuma është e kufizuar në maksimumin e gjysmës së çmimit të produktit para taksimit.
Autoritetet franceze synojnë me këtë masë të reduktojnë numrin e madh të produkteve të lira të modës që ofrohen çdo ditë përmes internetit. Gjatë përllogaritjes do të merren parasysh sasia e produkteve të ofruara, qëndrueshmëria e tyre dhe mundësia për riparim.
Në shënjestër janë veçanërisht kompanitë, modeli i biznesit të të cilave bazohet në mijëra modele të reja, çmime të ulëta dhe dërgesa direkte nga Azia. “Shein” dhe “Temu” vitet e fundit kanë ndryshuar ndjeshëm tregun evropian dhe kanë marrë një pjesë të klientëve të zinxhirëve tradicionalë të modës.
Presioni ndaj këtyre platformave do të vazhdojë edhe në nivel të Bashkimit Evropian. Shtetet anëtare pritet të vendosin gradualisht rregulla më të gjera, sipas të cilave prodhuesit dhe shitësit do të paguajnë një pjesë më të madhe të kostove që lidhen me mbetjet tekstile.
Kjo çështje është interesante edhe për blerësit në Maqedoni, pasi “Temu” dhe “Shein” janë bërë mjaft të njohura edhe në vendin tonë. Tarifa franceze nuk zbatohet për porositë në Maqedoni, por tregon drejtimin në të cilin po shkon politika evropiane ndaj dërgesave të lira dhe modës ultra të shpejtë.
