Armand Duka, presidenti i FSHF-së, dhe Sylvinho, kanë reaguar në mënyra të ndryshme pas shortit të sotëm të “play off”-it të Botërorit 2026, ku goglat e vendosën kombëtaren shqiptare përballë Polonisë në gjysmëfinale dhe, nëse kalon më tej, përballë fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, në finale. Duka u shpreh: “I buzëqeshur? Ndodhi kështu, në fakt çifti i parë nuk më pëlqente, Italia dhe Uellsi. Më vjen mirë që eliminuam ato të parët dhe ndaj qesha, kur i shmangëm.

Nuk kisha ndonjë preferencë, pasi të gjitha janë kombëtare të forta. I gëzuar dhe i buzëqeshur jam, pasi jemi këtu. Falenderojmë futbollistët dhe stafin që na mundësuan të luajnë në “play off”. Polonia është një kundërshtar i fortë, të gjithë janë të fortë, por ne do të provojmë mundësitë tona. Do të luajmë në Varshavë në mars.

Shorti i favorshëm? Ndeshjet e futbollit as nuk fitohen, as nuk humben në short. Ne ishim të mërzitur për shortin e kualifikueseve, por në fund dolëm të dytët. Shpresojmë që të kemi futbollistët gati dhe në formë të mirë. Të mos kenë dëmtime dhe t’i kemi të gjithë.

Sllovakia, a ishte dëshira jonë? Në fakt më dukej një kundërshtar më i përshtatshëm, me diferencat që janë më të vogla, ose hiç. Në një diskutim që bëmë rrugës, unë shpreha dëshirën për Sllovakinë, ndërsa të tjerët për Uellsin.

Kosova, a ka shanse? Kosova është një ekip i mirë, po kalon një moment të mirë. Shpresoj të jetë kështu edhe në mars. I ka të gjitha mundësitë për ta kaluar Sllovakinë dhe për të sfiduar më pas Turqinë ose Rumaninë. I ka të gjitha shanset për të fituar edhe finale, edhe për të qenë pjesë e Botërorit”.

Më shkurt foli trajneri ynë kuqezi, Sylvinho: “Pres një Poloni tjetër nga ajo që na ka mundur në ndeshjen time të pare si trajner i kuqezinjve. Ata kanë ndryshuar shumë lojtarë dhe trajnerin”.

The post Shorti na vendosi ndaj Polonisë, ja reagimet e Dukës dhe Sylvinhos appeared first on Telesport.