Kombëtarja e femrave në volejboll fitoi sot 3-2 ndaj Lituanisë, në ndeshjen e tretë dhe të fundit të fazës eliminatore të Volleyball European League (Liga Europiane e Volejbollit). Ndeshja e luajtur në Odense të Danimarkës ishte e fortë dhe emocionuese e zgjati mbi 2 orë.
Një triumf i shkëlqyer i kombëtares kuqezi, që korr fitoren e dytë në grup, duke u renditur në vendin e dytë, pikërisht një pikë pas Lituanisë. Lodhja e sfidës së mëparshme, që vajzat kuqezi e humbën pas pesë setesh me Danimarkën, nuk e kishte demoralizuar kombëtaren.
Një ndeshje që nis shkëlqyeshëm për Shqipërinë, që fiton 25-9 setin e parë, por lituanezet fitojnë 25-14 e 25-23 dy setet e tjera. Keqardhje për setin e tretë, që Shqipëria e udhëhoqi shumicën e kohës, por e humbi në fund. Këtë gabim vajzat kuqezi nuk e bëjnë në setin e katërt.
Shqipëria arrin të ruajë avantazhin e fitojë 25-22, duke vendosur gjithcka në setin final. Një set që u vendos pas pikës së 10-të, kur Shqipëria shkëputet e fiton 15-12, duke nisur kështu festën e merituar. Një fitore që vjen pas asaj të arritur dy ditë më parë ndaj Luksemburgut.
Kjo fitore kualifikon direkt vajzat kuqezi në fazën tjetër, atë të grupeve, që do të nisë pas një jave. Një meritë ka padyshim kapitenia Erblira Bici, lidere në fushë si dhe trajneri Nicola Cornelli për punën e bërë, por aventura e vajzave kuqezi do të vijojë.
Dita e parë
Shqipëri – Luksemburg, 3-1
Lituani – Danimarkë, 3-0
Dita e dytë
Lituani – Luksemburg, 3-0
Danimarkë – Shqipëri, 3-2
Dita e tretë (31 maj)
Shqipëri – Lituani, 3-2
Luksemburg – Danimarkë, 18:00
Renditja: Lituania 7 pikë, Shqipëria 6 pikë, Danimarka 2 pikë, Luksemburgu 0 pikë.
The post Shqipëria mund 3-2 Lituaninë në Ligën Europiane të Volejbollit dhe kualifikohet për në fazën e grupeve appeared first on Telesport.
