Punimet për përmirësimin e terrenit në stadiumin “Air Albania” po zhvillohen me ritme shumë të larta, në kuadër të investimeve të vazhdueshme të Federatës për modernizimin e infrastrukturës sportive në vend.

Pas përfundimit të procesit të heqjes së barit dhe tapetit ekzistues, si edhe ndërhyrjeve për përmirësimin e bazamentit të fushës, ka nisur tashmë shtrimi i tapetit të ri. Në fazën e ardhshme të projektit do të realizohet edhe mbjellja e barit duke i dhënë stadiumit një sipërfaqe loje të standardeve më të larta.

Ky investim është pjesë e strategjisë së FSHF-së për përmirësimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, me synimin për të garantuar terrene moderne dhe kushte optimale për zhvillimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve futbollistike.

Stadiumi “Air Albania” është një nga katër stadiumet e përzgjedhura për të pritur ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21 2027. Për këtë arsye, investimet dhe ndërhyrjet në këtë impiant kanë një rëndësi të veçantë, duke synuar përmbushjen e standardeve më të larta të UEFA-s dhe ofrimin e një eksperience sa më cilësore për ekipet dhe tifozët.

The post Shqipëria po përgatitet për Euro U-21, vazhdojnë punimet me ritëm të lartë në “Air Albania” (video) appeared first on Telesport.