Një nga liderët e koalicionit VLEN, ministri Arben Taravari, përmes një postimi në Facebook ka komentuar zhvillimet e fundit ndërkombëtare, me theks në zemërimin SHBA-Europë, megjithatë midis këtij kaosi të përgjithshëm, midis shumë çudirave që po ndodhin, sipas Travarit po ndodh edhe një çudi tjetër, të cilën e quan fatlume, sepse kjo situatë ka afruar shqiptarët dhe shtetet e tyre më shumë se asnjëherë! Më tej shkruan se aleanca pa kushte midis dy kryeministrave shqiptarë Kurti dhe Rama në takime ndërkombëtare janë surprizë e madhe e çerek shekullit të radhës.
Në moment kur bota nuk është në harmoni, Taravari shton se lajmi i mirë është se shqiptarët janë afruar shumë me njeri-tjetrin në nivel politik.
Ky status i tij, që në Facebook u pëlqye edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni Denion Meidani, mori jehonë edhe në media, duke përbërë lajm madje edhe në mediat në Shqipëri. Top Channel doli me titullin “Udhëheqësi i koalicionit shqiptar në RMV: Shqiptarët e Maqedonisë, fokus prioritar i Shqipërisë dhe Kosovës”.
Analisti Sefer Selimi, këtë status të Taravarit e sheh më shumë si një mesazh në funksion të vendosjes së Taravarit si titullar i koalicionit VLEN.
Sa i përket përmbajtjes së statusit të Taravarit, Selimi nuk mendon se është i qëndrueshëm, pasi në ai nuk beson se shqiptarët kanë qenë ndonjëherë më kundërthënës se tani në aspekt të lidershipit politik. Këtu ai rikujton ndërhyrjen e Kurtit në procesin zgjedhor në Maqedoni por edhe polarizimin dhe përplasjen në distancë Rama-Kurti.
