Bullgaria po tërhiqet nga koalicioni i vendeve që mbështesin Ukrainën në mbrojtje kundër agresionit rus, njoftoi Presidenti Rumen Radev, raportoi BGNES .

Me këtë veprim, Bullgaria po distancohet më tej nga shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian që mbështesin Ukrainën, vlerëson Bloomberg .

Radev, i cili njihet si një kritik i zëshëm i dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë, ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se po mban një qëndrim pro-rus në luftë. Ai thekson se mbështet marrëdhënie “pragmatike” me Kremlinin.

Edhe pse mori pjesë në takimet e mëparshme, Bullgaria nuk dërgoi një përfaqësues në takimin e koalicionit në Paris dje.

“Ne nuk po marrim pjesë në një koalicion që këmbëngul në vazhdimin e ndihmës financiare dhe ushtarake për Ukrainën”, u tha Radev gazetarëve sot. “Zgjidhja e këtij konflikti nuk qëndron në vazhdimin e tij me mjete ushtarake, por në një mision të fortë diplomatik që do ta ndalojë më në fund përshkallëzimin”, shtoi ai.

Radev deklaroi vitin e kaluar se Bashkimi Evropian nuk ka vizionin e vet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar paaftësinë e Evropës për të arritur paqe diplomatike në Ukrainë, por përkundrazi shkatërrimi i vendit vazhdon me një numër edhe më të madh viktimash.

The post Sofja i jep fund pjesëmarrjes në koalicionin e ndihmës për Ukrainën appeared first on Alsat.