Trajneri i kombëtares italiane, Luciano Spalletti, ka komentuar shortin e grupeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në mikrofonat e “Rai Sport”: “Në mars do të përpiqemi të fitojmë. Një Itali që fiton ndaj Gjermanisë do të ishte padyshim më e fortë për të vazhduar përpara”.
Fitorja apo humbja do të ndikonte gjithashtu në grupin kualifikues…
Këto janë llogaritje që nuk duhen bërë, është një mënyrë paksa italiane për të menduar. Duhet të nderojmë sportin dhe të rinjtë që na shikojnë. E ardhmja gjithmonë varet nga ajo që arrijmë të marrim nga djemtë, nga të rinjtë. Ka një prirje për t’u besuar këtyre talenteve të rinj, duhet të jemi të fortë”.
Në rast se fiton ndaj Gjermanisë, do të përballesh me Calzona…
E njoh mirë. Ka qenë pjesë e stafit tim te Napoli, që atëherë kam parë tek ai cilësi shumë të rëndësishme. Ka punuar gjithashtu me Sarrin, është dikush që di si të ndërtojë një skuadër që luan futboll modern. Ai sulmon që nga fillimi i aksionit dhe mban linjën mbrojtëse të lartë. Është një trajner i futbollit total dhe tashmë e ka treguar kundër Anglisë se e di çfarë kërkon dhe çfarë bën. Në atë ndeshje të Europianit 2024 meritonte shumë më tepër. Ai di si ta bëjë një skuadër që të funksionojë si e tërë.
Çfarë do t’u thuash lojtarëve para fillimit të ndeshjeve kualifikuese?
Që duhet të jenë në nivelin e misionit që na është besuar, absolutisht. Duke veshur këtë fanellë dhe duke qenë lojtarë që mbajnë trengjyrëshin mbi shpatulla, si dhe njerëz të sportit, duhet të jemi në lartësinë e traditës dhe historisë sonë. Nuk kemi alternativë.
Tani, sfida kundër Gjermanisë bëhet dyfish e rëndësishme. Sidomos sepse “final four” do të mbahet në Torino në rast suksesi…
Kështu ndërtohen skuadrat e forta, përmes fitoreve. Një Itali që fiton ndaj Gjermanisë do të ishte më e fortë. Pra, Gjermaninë do të donim ta mundnim në çdo rast. Duhet patjetër të konsolidojmë gjërat e bukura që u panë gjatë ‘Nations League’. Prej aty duhet të marrim forca të reja për t’i shpenzuar në ndeshjet e ardhshme. Duhet të arrijmë në këto ndeshje kualifikuese me sa më shumë fitore të jetë e mundur. Duhet të nderojmë ‘Nations League’ dhe të zbresim në fushë për të fituar çdo ndeshje.
The post Spalletti komenton shortin: Gjermaninë do të donim ta mundnim në çdo rast appeared first on Telesport.