“Nëse ndikoi fakti që dinim rezultatet e të tjerëve? Është e qartë se mund të ketë ndikuar, sepse kur u kthyen në dhomat e zhveshjes të gjithë pyesnin vetëm për ato rezultate. Sidoqoftë, kjo nuk e ndryshon faktin që ndeshjen e kishim në dorë dhe duhej ta mbyllnim ndryshe. Pikërisht në këto ndeshje shihet karakteri i njerëzve, shihet se çfarë kemi brenda.
Kur gjithçka është aty për ta marrë, nuk duhet të kënaqesh me minimumin, por të kërkosh diçka më shumë. Nuk është e njëjta gjë të kesh 2 pikë më shumë apo më pak. Është një rritje që duhet ta bëjmë”, – deklaroi Luciano Spalletti pas barazimit 2-2 në derbin torinez dhe sigurimit të “Europa League” për sezonin e ardhshëm.
Pas deklaratave të Comollit se do të ndërtohet një Juventus i madh me Spallettin në stol, trajneri shtoi: “Kemi detyrimin të luajmë gjithmonë me nivel të lartë. Duhet të mbushim boshllëqet që kemi parë në këto 6-7 muaj, edhe pse skuadra ka punuar shumë mirë”.
Më tej ai theksoi: “Diferencën e bën karakteri. Është po aq i rëndësishëm sa forca fizike apo teknika. Futbollisti nuk duhet të tronditet nga episodet. Mund të fitosh ose humbasësh, por duhet të luftosh deri në fund. Nëse ke gjithmonë dyshime, atëherë nuk ke karakter dhe nuk mund të luash te Juventusi”.
Spalletti komentoi edhe incidentin me tifozin e plagosur para derbit: “Të gjithë po presim lajme për këtë djalë që ndodhet në spital dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë. Nëse një ditë më parë publikohen komunikata absurde, ku nuk duhen ngjyrat bardhezi në tribunë, dhe këto gjëra nuk luftohen, atëherë problemi nuk janë ngjyrat, por ata që duan t’i përjashtojnë ato. Duhet t’i rregullojmë këto situata, sepse po dëmtojmë vetveten”.
The post Spalletti ngushëllohet me “Europa League”: Po nuk pate karakter nuk mund të luash te Juventusi appeared first on Telesport.
