Gazetar: Avni Tahiri

Bodrume shtëpish të përmbytura, vetura të ngujuara në mes të bulevardeve në ujë, dhe dëme të shumta tjera janë raportuar për shkak të shiut të rrëmbyeshëm sot në Shkup. Ndër zonat më të goditurat nga stuhia janë komuna e Kisella Voda, Çairi, Buteli dhe Gazi Baba. Sipas Qendrës Për Menaxhim me Kriza, deri tani janë raportuar dëme të shumta.

“Për shkak të stuhisë që në orët e pasdites ka përfshirë zonën e Qytetit të Shkupit, përmes Numrit të vetëm për thirrje emergjente 112 janë pranuar disa thirrje nga qytetarët për bodrume të përmbytura, oborre shtëpish, hapësira magazinimi, nënkalime dhe rreth rrotullime, si dhe për automjete të bllokuara dhe rreziqe e rrezikime të tjera të shkaktuara nga reshjet e dendura”, thanë nga QMK.

• Stuhia ka shkaktuar reshje të dendura dhe përmbytje në disa zona
• Bodrume, oborre, magazina dhe nënkalime të përmbytura si dhe automjete të bllokuara
• Në 112 janë marrë shumë thirrje, shërbimet emergjente reagojnë në terren

Sipas Qendrës Për Menaxhim me Kriza, për të gjitha rastet e raportuara janë njoftuar menjëherë Brigada e Zjarrfikësve e Qytetit të Shkupit dhe Njësitë e vetëqeverisjes lokale, të cilat po veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre. Ndërkohë është formuar edhe Shtabi i Krizave i Qytetit të Shkupit, i cili po koordinon aktivitetet e shërbimeve kompetente.

Nga komuna e Çairit thonë se për ekipet e komunës dhe të Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizave, si dhe shërbimet e tjera kompetente, janë në terren dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, janë duke monitoruar gjendjen dhe po ndërhyjnë kudo që paraqitet nevoja.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se Shtabi i Krizave i Qytetit të Shkupit, së bashku me shërbimet dhe ndërmarrjet publike, është mobilizuar plotësisht dhe është i gatshëm për ndërhyrje të shpejtë në rast të dëmeve, përmbytjeve apo nevojës për reagim urgjent./Alsat.mk.

The post Stuhia e shkurtër ka shkaktuar dëme të shumta në më shumë komuna të Shkupit appeared first on Alsat.