Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht një nga tubacionet e saj kryesore të naftës, pasi u godit nga dronë të nisur nga Iraku.
Bëhet fjalë për tubacionin East-West, i gjatë rreth 1,200 kilometra, i cili është një rrugë strategjike për eksportin e naftës saudite, pasi mundëson shmangien e Ngushticës së Hormuzit.
Tubacioni transporton rreth 4 deri në 5 për qind të furnizimit global me naftë.
Iraku ka pranuar se sulmi është nisur nga provinca Maysan, në kufi me Iranin. Pas sulmit, komandanti përgjegjës për operacionet në këtë zonë është shkarkuar dhe është nisur hetim.
Autoritetet saudite kanë thënë se mbyllja e tubacionit është bërë si masë paraprake. Sulmi shkaktoi dëme materiale, ndërsa disa persona u plagosën.
Rijadi, për momentin, ka vendosur të mos ndërmarrë hakmarrje, duke mirëpritur përpjekjet e qeverisë irakiane për të parandaluar sulme të tjera.
Ndërkohë, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe avancimi i rebelëve Houthi në Jemen po shtojnë presionin mbi rrugët globale të transportit të naftës. Çmimi i naftës së papërpunuar ka kaluar 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga korriku.
