Trajneri Sylvinho ka sqaruar se mungesat e disa senatorëve kuqezinj (Daku, Mitaj, Bare) në listën e publikuar sot prej tij për dy kualifikueset e Botërorit 2026, ndaj Anglisë dhe Andorrës, janë për shkak dëmtimesh. Pra, ata janë të pamundur për të dhënë kontributin e tyre në eliminatoret e marsit. Lidhur me zgjedhjet e tjera, por edhe dy kundërshtarët e radhës, trajneri ynë i kuqezinjve u shpreh në konferencën për shtyp para gazetarëve:
“Do të mundohem të flas pak në hyrje të konferencës dhe t’ju lë juve të pyesni më shumë. Do ta nis me 4 lojtarët që nuk janë në listë dhe të dëmtuar. Mario Mitaj ka problem puplaxhie dhe është vendosur të operohet. Keidi Bare ka dëmtim në pulpë dhe nuk është i disponueshëm për momentin, ka pasur komunikim mes doktorit tonë dhe Saragozës. Me Elseid Hysajn kam komunikuar vetë dhe mund të jetë i gatshëm për t’u rikthyer pas pauzës së kombëtareve, për t’u trajnuar me ekipin e tij. Daku ka të njëjtin problem pupalxhie, do të ketë mundësi të trajtohet për t’u rikthyer shpejt me ne dhe skuadrën e tij”.
Lidhur me fushatën e re kualifikuese, tashmë për Botërorin 2026, braziliani shtoi: “Objektivi? Dëmtimet janë për ne dhe për rivalët. Për fat të keq ndodhin në futboll. Kombëtarja jonë është gjithmonë e hapur, mbërrijnë lojtarë të ndryshëm, kjo është puna. Kemi dy ndeshje shumë të vështira, shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, duhet të punojmë shumë për të dyja. Sa i përket Anglisë, jam dakord se është ndër kombëtaret më të forta në botë. Ka lojtarë shumë të fortë, tani ka një trajner të madh, siç ishte edhe Southgate me dy finale Europiani. Tani vjen një trajner tjetër i rëndësishëm në krye të Anglisë, po flasim për një kombëtare me nivel të lartë. Ne duhet të punojmë shumë. Më shqetësojnë të dyja ndeshjet në aspektin e punës. Duhet të punojmë fort në stërvitje, t’i përgatisim më së miri ndeshjet. Janë dy ndeshje shumë të ndryshme, ndaj duhet t’i përgatisim lojtarët në aspektin futbollistik”.
Sylvinho shpjegoi edhe pse mungon Seferi në listë: “Kemi mbingarkesë në të majtë, kemi shumë alternativa. Seferi po bën një rrugëtim shumë të mirë në kombëtare, është një lojtar shumë i mirë, ka zemër, e bën gjithçka me zemër. Me mua trajner është hera e parë që mungon. Këto ndeshje do të thonë që nis një ëndërr e rëndësishme për të shkuar në Botëror. Edhe unë e kam këtë ëndërr, por duhet të bëjmë mirë të gjithë. Ky është një mesazh për të gjithë lojtarët, jo vetëm për Seferin. Mund të vijnë pyetje për Mehmetin, që sot nuk është në listë, por herën tjetër mund të jetë. Ne kemi nevojë për të gjithë. Kombëtarja është e hapur, por duhet të mendojmë në mënyrë strategjike sa iu përket ndeshjeve. Në krahun e majtë kemi Hoxhën, Muçin, Bajramin, Mehmetin… Të gjithë mund të luajnë majtas, por unë duhet të marr dy apo tre në këtë rol. Strategjikisht, sa iu përket dy ndeshjeve, bëhen zgjedhje. Kësaj here mbeti jashtë Seferi”.
Qasje ndryshe për të shkuar në finalet e Kupës së Botës: “Jam dakort që 2 vite trajner këtu më kanë ndihmuar t’i njoh mirë lojtarët dhe mentalitetin e tyre. Po punojmë shumë që ata të përmirësohen, sidomos në apsketin e përqendrimit. Ne kemi humbur disa ndeshje për shkak të përqendrimit, shpresoj të kemi fituar eksperiencë në këtë drejtim në finalet e ‘Euro 2024’. Përballja me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë na kanë mësuar shumë, do të punojmë shumë për t’ia dalë mbanë”.

Trajneri kuqezi foli edhe për situatën e Brojës dhe Ismajlit, që nuk kanë luajtur me ekipet e tyre: “Kemi komunikuar rregullisht prej 10 ditësh me të dy lojtarët. Ismajli ka një ripërsëritje të problematikës që ka patur më parë. Broja tashmë është rikthyer dhe të 2 futbollistët janë grumbulluar me klubet e tyre për ndeshjet e kësaj fundjave. Në momentin që do të vijnë do t’i shikojmë sërish me mjekët e kombëtares. Kemi disa muaj që nuk jemi takuar me lojtarët, ndaj në grumbullim do të bëjmë vlerësimet e duhura për gjithsecilin”.
Ftesa e Etnik Brrutit ka krijuar një përplasje mes Kosovës dhe Shqipërisë: “Duhet të shpjegoj pak punën tonë, jemi një grup që punon shumë. Unë jam përgjegjësi kryesor i kombëtares, pastaj Doriva, Zabaleta, Bulku dhe Bushi që punojnë fort për të pikasur lojtarët. Brruti është një futbollist që na ka munguar. Kemi shumë emra në të majtë, por në të dhjathtë nuk kemi shumë. Rikthehet Pajaziti dhe jam i lumtur për të. Tani kemi marrë Brrutin, që është mëngjarash dhe do të na bëjë punë. Sa iu takon kritikave dhe situatës së Brrutit, është vetë futbollisti që zgjedh se me kë do të luajë. Presioni është i pranishëm, pasi do të luajmë në një stadium si ‘Wembley’. Jam i bindur se të gjithë duan të luajnë në këtë stadium dhe ndaj një ekipi si Anglia”.
Sylvinho shpjegoi nëse do të luajmë si në kualifikueset e “Nations League” apo si në kualifikueset e “Euro 2024”: “Janë kompeticione të ndryshme dhe skuadra të ndryshme. Kemi një ëndërr për të shkuar në Botëror. Është i vështirë, por i bukur që të arrihet si objektiv. Duhet të marrim sa më shumë pikë, është një grup i vështirë. Ajo që nuk duhet të mungojë kurrë është zemra, djersa dhe shpirti i ekipit. Në fushë duhet të hyjmë me zemër. Rregulli në këtë kompeticion ndryshon, pasi kualifikohet vetëm vendi i parë”.
Njëri nga debutuesit e kombëtares së madhe kuqezi do të jetë Julian Shehu: “Është e vërtetë që Julian po bën mirë. Është një djalë që ka eksperiencë, po luan shumë mirë dhe do të na hyjë shumë në punë. Juljani vjen nga U-21, ky lojtar ka patur një rrugëtim tek ekipi Shpresa. Ka këmbë teknike të mira dhe luan shumë mirë futboll. Në kombëtare nuk ke shumë mundësi të bësh prova, por ne duhet ta shikojmë gjendjen e lojtarëve. Mbetet ta vlerësojmë gjithsecilin, edhe debutuesit, nga e hëna, kur të grumbullohen të githë futbollistët”.
Albion Marku po bën mirë në Hungari, a është në planet e tij: “Pas Hysajt kemi Balliun, tani edhe Hadrojin në këtë pozicion. Në krahun e djathtë kemi alternativa, por na mungojnë në krahun e majtë. Kemi Alijin, i cili ka bërë shumë mirë dhe ka eksperiencë në dy Europianë. Kështu, për këto dy ndeshje e kemi të zgjidhur problemin në këtë krah”.
Medon Berisha e ka parakaluar në hierarki Ramadanin te Lecce: “Është futbollist i ri që ka ardhur nga U-21. Ka qenë në ‘Euro 2024’ me ne. Vjen pas një dëmtimi dhe tashmë është rikthyer të luajë mirë. Ramadani ka bërë mirë gjithmonë në kombëtare, por mbetet ta bëjmë vlerësimin e secilit lojtar në grumbullim, pastaj vendosim edhe titullarët e formacionit. Kjo puna e kombëtares është e vështirë, sepse e sheh në video një lojtar, por më e mira është kur vjen këtu. Në grumbullim e konstaton saktë nëse është në situatë të mirë apo në formë. Për mua, sa herë kuqezinjtë luajnë me klubin, është gjë e mirë. Jam i lumtur për Berishën”.
The post Sylvinho: E ëndërrojmë, por kualifikimi në Botërorin 2026 është shumë i vështirë appeared first on Telesport.
