Në prani të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, është zhvilluar sot “stafeta” e trajnerëve të kombëtares sonë kuqezi. Braziliani Sylvinho largohet nga ky pozicion, të cilin e ka marrë italiani Ronaldo Maran. I pari ka nënvizuar në fjalën e tij para gazetarëve: “Faleminderit president! Edhe për mua janë dy minuta me emocione. Nga pjesa jonë kemi vetëm falënderime, tashmë kemi vendosur së bashku që të mbyllet ky cikël.
Një cikël prej 3 vitesh e gjysmë në të cilin kemi punuar shumë mirë për ta përfaqësuar këtë kombëtare, një komb. Një komb që më ka mirëpritur shumë mirë dhe e falënderoj pa masë. Tani e njoh shumë mirë Shqipërinë, Tiranën, dua t’ju falënderoj shumë. Falënderoj presidentin për besimin, për punën, sigurisht mbi 100 njerëz që punojnë në këtë federatë. Shumë e dinë mirë se çfarë kemi bërë. Me disa kemi pasur mundësi të hamë drekë, darkë.
Dua të falënderoj stafin teknik, të gjithë futbollistët të cilët kanë bërë një rrugëtim prej 3 vitesh e gjysmë me ne dhe jemi rritur të gjithë bashkë. Sigurisht falënderoj dhe tifozët shumë dashamirës ndaj kombëtares, për ne kanë qenë gjithnjë shumë pozitivë. Sot nuk kam shumë për të thënë.

Më kujtohet që nga dita e parë që kam qenë këtu, ka qenë 9 janari i 2023, kam thënë diçka: Shpirti, zemra dhe djersa nuk duhet të mungojnë kurrë. Këtë e kam thënë në ditën e parë dhe ia kemi dalë të gjithë së bashku. Dua t’ju falënderoj të gjithëve ju që po më dëgjoni edhe sot pas 3 vitesh e gjysmë dhe shumë suksese trajnerit të ri. Urime”.
Presidenti Duka zbuloi edhe objektivin e trajnerit të ri kuqezi: “Ekipi ynë kombëtar tanimë e ka vendosur stekën aty ku vërtet dëshirojmë. Objektivat mbeten po ato; vendi i parë në ‘Nations League’ dhe kualifikimi në ‘Euro 2028’, për të vazhduar më pas drejt objektivit të paarritur ndonjëherë, që të jemi pjesë e Botërorit 2030.
I uroj suksese trajnerit Rolando Maran me ekipin kombëtar shqiptar. Në fakt, nuk bëra një prezantim të CV-së së zotit Maran, sepse është një emër i njohur i futbollit europian. Ai ka një eksperiencë 25-vjeçare, ka drejtuar skuadra të rëndësishme në Serie A dhe Serie B, jam i bindur që do të bëjmë mirë në ‘Nations League’ dhe ndeshjet kualifikuese”.
The post Sylvinho i lë porositë kombëtares kuqezi: Shpirti, zemra dhe djersa nuk duhet të mungojnë kurrë appeared first on Telesport.
