Presidenti i Këshillit Evropian pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup porositi qartë se miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet rruga e vetme për fillimin formal të negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Koshta përshëndeti përparimin në zbatimin e agjendës reformuese, ndërsa theksoi se BE-ja mbetet investitori më i madh dhe partneri më i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë së Veriut dhe gjithë Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë kryeministri Mickoski theksoi se vendi mbetet i përkushtuar në drejtim të integrimit në Bashkimit Evropian.
Ai tha se vendi punon në zbatimin e reformave, ndërsa identiteti nuk duhet të jetë pengesë.
“Miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet mënyra e vetme për fillim formal të negociatave. Kjo është mënyra e vetme për hapjen e të gjitha përfitimeve nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Bashkimi Evropian është partneri më i sigurt i Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë së Veriut. Fuqia për të formësuar ardhmërinë është në duart tuaja. Mënyra e vetme për të arritur përparim drejt integrimit evropian është përmes dialogut konstruktiv me fqinjët, përmes ndërmarrjes së hapave pragmatikë për ndërtimin e besimit dhe zbatimit të reformave të domosdoshme,” tha Antonio Koshta, President i Këshillit Evropian.
The post Takimi në Shkup / Antonio Costa: Pa ndryshime kushtetuese, s’ka negociata me BE appeared first on Alsat.
