Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Tekstet shkollore të historisë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mbeten të pandryshuara që nga viti 2008–2009, duke krijuar një narrativë të ngecur, ndërsa mungesa e vullnetit politik për t’i përmirësuar u ka lënë hapësirë gabimeve dhe shtrembërimeve. Historiani Naser Miftari në intervistë për Alsat tha se tekstet duhet të kalojnë nëpër të gjithë filtrat profesionale dhe të dalin të sakta dhe pa gabime, gjë që ende nuk po realizohet.

“Si duket nuk ka vullnet të mjaftueshëm që tekstet shkollore si një mjet si një burim kryesor për nxënësin të jenë të pagabueshme. Nuk ka nevojë që një tekst shkollor të mos jetë i kompletuar, i kaluar në të gjithë filtrat dhe ai tekst të del vërtet i plotësuar me të gjitha”, tha Naser Miftari, profesor.

I pyetur lidhur me plan-programin dhe sa nxënësit shqiptarë mësojnë për periudhën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ai tha se përmbajtja që mësojnë nxënësit duhet të jetë me një vëllim më të madh

“Nuk është asnjëherë mjaftueshëm të mësuarit e historisë nacionale, këtu duhet të jem i prerë. Por më e plotësuara do të ishte që të jenë me një vëllim më të madh. Duhet në më tepër sfera të studiohet dhe mësohet historia e popullit shqiptar, kryekëput nga nisja e kryengritjes deri te dita e pavarësisë”, shtoi ai.

Në librat e historisë prej vitesh janë vërejtur gabime të shumta në trajtimin e historisë shqiptare, duke përfshirë edhe raste me përmbajtje fyese apo nënçmuese duke nxitur reagime të vazhdueshme. Miftari ndërkohë tha se nevojitet thellim i bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës lidhur me historinë e shqiptarëve./Alsat.mk

The post Tekstet e lëndës së Historisë me gabime të pa përmirësuara appeared first on Alsat.