Qytetarët e Tetovës përshëndesin vendimin e qeverisë që kazinotë të jenë 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. Në një anketë të realizuar në qytet, ata shprehen se ky vendim është i vonuar, pasi në asnjë shtet të botës nuk lejohet që lojërat e fatit të jenë para objekteve shkollore.

“Më larg, më mirë! Po bëhet problem.”

“Tetova ka afër 100 kazino. Turp! Ku i marrin ato para? Të gjithë hyjnë në kazino gjithë natën.”

“Duhet të largohen, duhet të largohen! Përndryshe, fëmijët nuk mund t’i lënë kazinotë. Unë kam qenë në Amerikë, atje kazino nuk ka ku ka shkolla. Cili shtet ka kazino ngjitur me shkollën? Çfarë po bëjnë ata? Çfarëdo miliardi që ka, njerëzit po i çojnë paratë e shtëpisë atje… fëmijët po mbesin pa bukë.”

“Ligji, duhet ligji! Duhet të respektohet ligji dhe të shkojë te financat. T’i heqin, t’i bëjnë këto pika… Të shkojnë larg, 500 metra, 1000 metra, sa duhet, a e di? Ashtu! Atëherë le të shkojnë e të luajnë. E përshëndes unë atë ligj që e kanë sjellë, e përshëndes! Faleminderit.”

Ditë më parë, propozim-ligji që lojërat e fatit të jenë 500 metra larg objekteve shkollore kaloi në seancën qeveritare, ndërsa i njëjti vendim do të duhet të kalojë edhe në Kuvend. Sipas këtij vendimi, kazinotë nuk do të mund as të reklamojnë.

“Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se ky është vetëm fillimi i një ofensive që do të përfshijë edhe rregullimin e bizneseve të kredive të shpejta, duke tentuar të ndryshojë perceptimin e qytetarëve për ambientin ku jetojnë. Megjithatë, për Lëvizjen ‘Anti-Bixhoz’, ky ligj nuk është as gjysma e asaj që është kërkuar. Me një përvojë dhjetëvjeçare premtimesh të pambajtura, ata shprehen skeptikë nëse ky projekt do të gjejë rrugën e zbatimit apo do të mbetet sërish i bllokuar në korridoret e Kuvendit. Detajet i ndjekim në kronikën në vijim”, tha Venera Azizi – zëdhënëse e qeverisë.

Ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se, përpos propozim-ligjit për lojërat e fatit, do të ketë edhe një ligj për kreditë e shpejta. Ai tha se qytetet në Maqedoninë e Veriut nuk guxojnë të jenë qytete të kazinove, ndërkohë që në afërsi të tyre janë hapur edhe “dyqane parash” që japin kredi të shpejta.