Gazetare: Ajnur Bafqari

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski ka deklaruar luftë të hapur ndaj Prokurorisë për Krim të Organizuar duke i akuzuar për manipulim me procedurat hetimore dhe mbylljet e lëndëve me qëllime dhe prapavija akoma të panjohura për të. Sipas tij, rasti i spiunimit që ka dal nga kabineti i Presidentes Gordana Siljanovska u hap para se të mbyllet procedura para-hetimore dhe kjo sipas tij u bë për ta mbuluar mbylljen e lëndës “Mazuti”. Toshkovski në 360 gradë tha se pavarësisht se krimi i organizuar e mbylli këtë lëndë, por policia posedon indikacione të cilat mund të vërtetojnë krim të rëndë.

“Kur të ekspozohen të gjitha faktet e nevojshme për opinionin, atëherë ndoshta do të jepet përgjigje për pyetjen që hap përgjigje shumë interesante. Përgjigje shumë interesante në aspekt të futjes në një tregim të caktuar të prokurorëve të caktuar të pozicionuar në pozita të larta në drejtim të ndezjes së temave që do të duhej ta vendosnin në pikëpyetje punën e MPB-së dhe kësaj qeverie, me të vetmin qëllim që disa lëndë të mëdha të caktuara, që ishin hapur nga ana e MPB-së të mos mund ta shohin drejtësinë në fund”- tha ministri i punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski

Toshkovski këmbëgul se për keqpërdorimet në ESM ka dëshmi shokuese të cilat ai din por nuk mund t’i tregon.

 “Sepse unë i di disa dëshmi që ju nuk i dini. Dhe nuk mund t’i dini. Unë i di sepse duhet t’i di. Dhe do të shokoheni edhe ju edhe i gjithë opinioni, kur të vjen koha do të jeni të shokuar. Por pozitivisht. Dhe them se do të vjen ajo ditë”- theksoi ai. 

Lënda për mazutin ishte në procedurë hetimore për më shumë se një vit, por prokurorja Katerina Kollareviq vendosi që ta mbyll në pamundësi për të vërtetuar veprën penale. Të dyshuar ishin 13 persona, mes të cilëve edhe biznesmenët Ratko Kapushevski, Asmir Jahovski dhe Erxhan Sulkovski, ish drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski dhe të tjerë, që akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim të parave. /Alsat.mk

The post Toshkovski: Ekzistojnë dëshmi shokuese për rastin “Mazuti” appeared first on Alsat.