Një sulm me bombë në një xhami dhe një përleshje e mëvonshme me armë në veriperëndim të trazuar të Pakistanit kanë vrarë të paktën 16 persona, përfshirë pesë policë, ndërsa mbi 56 të tjerë raportohet se janë plagosur.
Një makinë e ngarkuar me eksploziv u përplas në hyrjen e një xhamie pranë selisë së policisë në Kohat, provinca Khyber Pakhtunkhwa, afër kufirit me Afganistanin, teksa njerëzit mblidheshin për faljen e së premtes. Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë. Megjithatë, në zonë veprojnë dega rajonale e ISIL-it (ISIS) dhe talebanët pakistanezë (TTP), të cilët sulmojnë rregullisht forcat e sigurisë.
Shefi i policisë provinciale, Zulfikar Hameed, konfirmoi se sulmi ishte vetëvrasës. Pas shpërthimit, persona të armatosur u përpoqën të hynin në kompleksin policor dhe shkëmbyen zjarr me oficerët.
Fillimisht, në spital u dërguan të paktën 15 trupa dhe mbi 50 të plagosur, tha Dr Tahir Shah. Numri i viktimave mund të rritet, pasi disa të plagosur ndodhen në gjendje kritike.
Zyrtarët spitalorë konfirmuan se mes të vdekurve ishin pesë policë dhe 10 civilë. Shumica e të plagosurve ishin besimtarë.
Xhamia u dëmtua rëndë dhe muri i jashtëm i stacionit policor u shemb. Banorët thanë se shpërthimi u dëgjua nga larg.
Dyshimet ka të ngjarë të bien mbi TTP-në. Sulmi ndodhi një ditë pasi një bombë anës rrugës goditi një autokolonë të forcave të sigurisë në distriktin Hangu, duke vrarë gjashtë ushtarë. Të enjten, trupat qeveritare vranë 10 luftëtarë të dyshuar si anëtarë të TTP-së. Grupi është i ndarë, por aleat me talebanët që u kthyen në pushtet në Afganistan më 2021.
Kryeministri Shehbaz Sharif e dënoi sulmin dhe urdhëroi përshpejtimin e operacioneve të shpëtimit.
The post Tragjedi në Pakistan: Sulmohet xhamia, dhjetëra viktima appeared first on Alsat.
