Presidenti amerikan Donald Tramp tha se administrata e tij mund të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit. Tramp tha gjithashtu se shumë anije po kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Duke u përpjekur të minimizonte shqetësimet për çmimet e naftës, të cilat janë të larta, presidenti amerikan tha se ato ende nuk kishin arritur në 350 dollarë për fuçi. Tramp tha se ndërprerjet e vazhdueshme në Ngushticën e Hormuzit e kanë detyruar botën të kërkojë alternativa. Sipas tij Ngushtica e Hormuzit nuk do të jetë aq e rëndësishme sa ka qenë në të kaluarën. Para luftës, rreth një e pesta e naftës së tregtuar në botë kalonte çdo ditë përmes kësaj ngushtice.
“Ka gjëra ndaj të cilave mund të vendosim sanksione. Kemi sanksione shumë të ashpra dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Tani për tani, ngushtica është e hapur. Shumë anije po kalojnë përmes saj. Njerëzit nuk po e raportojnë këtë dhe, në një moment, kjo mund të ngadalësohet pak. Por tani për tani, shumë anije po kalojnë. Bllokada ka qenë 100% e suksesshme. Asnjë anije nuk ka hyrë në Iran, por ato po hyjnë në vende të tjera. Megjithatë, do të shohim çfarë do të ndodhë. Ose do të jetë jashtëzakonisht mirë dhe çmimet e naftës do të bien, ose do të vazhdojmë të bëjmë pikërisht atë që po bëjmë tani. E dini, ata po flisnin për 350 dollarë për fuçi, ndërsa sot çmimi është 84–85 dollarë. Dhe ne po nxjerrim shumë naftë. Mendoj se Ngushtica e Hormuzit nuk do të jetë më aq e rëndësishme sa ka qenë në të kaluarën.” – Donald Tramp, President i SHBA-së. /Alsat.mk
The post Tramp paralajmëron Iranin: “Mund të vendosim sanksione të reja” – çfarë po ndodh me Ngushticën e Hormuzit? appeared first on Alsat.
